Vllaznia njofton ndërprerjen e kontratës me një futbollist të saj

0
260

Problemet me të kishin nisur që në fillimin e muajit janar dhe sot duket se mbyllur por jo në mënyrën e duhur. Klubi Vllaznia duket se ka qenë i detyruar ta zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën me një futbollist të saj. Bëhet fjalë për sulmuesin Charles Buaku Atsina.
Siç bën të ditur vetë klubi shkodran përmes një komunikate për shtyp, ai ka qenë i detyruar të ndërmarrë një veprim të tillë pasi futbollist në fjalë nuk ka zbatuar kontratën dypalëshe të firmosur në mes tyre. Ja njoftimi i plotë i klubit Vllaznia:
KF Vllaznia bën të ditur se për shkaqe të ligjshme, ka ndërprerë kontratën e punës me futbollistin Charles Buaku Atsina. Lojtari në fjalë ka shkelur të gjitha pikat e kontratës sportive por edhe ato të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë duke mos e respektuar atë.
Fillimisht duke u paraqitur me një javë vonesë në stërvitje. Ndonëse duhej të ishte në stërvitje me ekipin që me datë 4 janar, ai ka mberritur në Shqiperi mbrëmjen e datë 10 janar 2018 dhe është paraqitur në zyrat e klubit një ditë më pas.
Një shkelje e rëndë kjo e kontratës sepse ekipi ndërkohë kishte udhëtuar drejt Malit të Zi për stërvitje. Në kushte të tilla, lojtari është autorizuar të dalë në stërvitje me ekipin B derisa ekipi i parë të kthehej nga Mali i Zi.
Futbollisti në fjalë e ka refuzuar një gjë të tillë dhe më pas, pavarësisht qortimeve dhe kërkesës së vazhdueshme për të respektuar kushtet e kontratës që ai vetë ka firmosur, ka vijuar të mos dalë në stërvitje me ekipin B ashtu siç u autorizua.
Pas disa paralajmërimeve të bëra, KF Vllaznia duke respektuar të gjitha rregulloret e FSHF, UEFA e FIFA, ka vendosur të ndërpresë në mënyrë të njëanshme kontratën me të.
Vendimi i është bërë i ditur vetë sportistit por edhe autoriteteve përkatëse. Kësisoj, Charles Buaku Atsina nuk është më futbollist i Vllaznisë.