Gjoka -Nezirit: Vllaznia më shumë se askush bazohet tek Akademia

0
251

Trajneri i Vllaznisë Ernest Gjoka ka dalë sot në konferencën e zakonshme për shtyp të pragndeshjes por përveç pyetjeve të tjera në lidhje me takimin e nesërm ndaj Skënderbeut, është pyetur edhe për deklaratat e bëra nga përgjegjësi i Akademisë Alban Neziri në mbledhjen e Asamblesë kur fliste për mungesë bashkëpunimi total.
Duke u përgjigjur në lidhje me këtë gjë, numri 1 i pankinës shkodrane është shprehur: “Unë kam bashkëpunim me Albanin, nuk di që të ketë qenë zero bashkëpunimi.
Në qoftë se ka skuadër në Superligën shqiptare që ka 100 për qind lojtarë të produktit të vet, kjo është Vllaznia. Shikoni Skënderbeun që skuadër e elitës së futbollit shqiptar, ka ose s’ka aspak produkt të Akademisë së vet, shikoni Kukësin, Partizanin.
Unë madje mendoj që kjo gjendje në të cilën ndodhet aktualisht Vllaznia, ka ndodhur për hir të punës së madhe të Akademisë që për t’i bërë sa më shpejt këta futbollistë dhe për të marrë më të mirën prej tyre, janë shumë të vegjël për të mbajtë një barrë kaq të madhe të Superligës shqiptare që ka shumë probleme.
Një skuadër si Vllaznia që ka 70-80 për qind të saj me lojtarë të vet aktualisht, kjo tregon se këtu ka bashkëpunim.Por duke i marrë shumë të rinj këta lojtarë dhe duke i veshë fanellën e Vllaznisë, ndoshta prandaj kemi këto probleme sepse kampionati shqiptar do lojtarë me shumë përvojë.
Ndërsa Vllaznia i merr shumë të rinj dhe i fut në ekip të parë. Ndoshta mbas një viti apo dy vitesh, do të mbajnë peshën e ekipit por sot jo.
Mendoj se bashkëpunimi me Akademinë ka qenë shumë i mirë sepse Krymi, Kalaja, Çinari, Pjeshka, Gurishta, Sherri, Vjerdha, Ruqi, Pusi, Isufi apo dhe Hysenaj që e sollën deri tek ekipi i parë, janë produkt i Akademisë.
Nëse s’do kishte patur bashkëpunim, këto lojtarë ndoshta s’do të ishin pjesë e ekipit sot dhe do ishin zëvendësuar me të tjerë.
Gjithsesi Albani ka shumë të drejtë se Akademia e Vllaznisë po nxjerr lojtarë dhe unë nuk e kundërshtoj fare por unë mendoj personalisht dhe në fakt mendimi im dhe i gjithë specialistëve të futbollit shqiptar është se skuadra e Vllaznisë është e vetmja në Shqipëri që luan me produktin e saj i cili ka qenë 70, 80 dhe vjet ndoshta 90 për qind e skuadrës.
Prandaj nuk e di pse duhet quajtur mungesë bashkëpunimi. Ne sot nuk mund të marrim një 17 vjeçar apo dhe një 16 vjeçar dhe ta fusim në ekip të parë se nuk e mban dot. është thjesht me rrejt veten.
Çinari ka një vit e gjysëm që luan këtu, Gurishta, Pjeshka, Krymi e të tjerë, kanë disa kohë që luajnë këtu. Këto janë Akademia se këto janë lojtarë të Akademisë që unë i shikoj si të perspektivës dhe madje edhe në aspektin e marketingut sepse ju e dini se çfarë u bë kohët e fundit me ofertat e ardhura në adresë të tyre dhe ç’hoqëm për t’i mbajtur”.