Arrihet marrëveshja për ratifikimin e demarkacionit Kosovë-Mali i Zi

0
319

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se është arritur marrëveshja me LDK-në për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi.
Veseli ka thënë se për këtë marrëveshje falënderon Kryeministrin Haradinaj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministrin Pacolli.
Postimi i Veselit:
“Të nderuar qytetarë,
Sapo kemi arritur konsensusin për të ratifikuar Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi. Dëshiroj të falënderoj Kryeministrin Haradinaj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministrin Pacolli për gatishmërinë për konsensus dhe për dialogun shumë konstruktiv. Ky bashkëpunim duhet të na përcjellë edhe në procese të tjera të rëndësishme për vendin”,ka shkruar Veseli.
Para se kryeparlamentari të kumtojë lajmin për arritjen e marrëveshjes kryeministri Haradinaj ka takuar mëngjesin e sotëm me zv. kryeministrin e parë, Behxhet Pacollin, i cili duket të ketë ndërmjetësuar në këtë proces.
“Është kënaqësi të kesh bashkëpunëtor energjik, me të cilin ndajmë vizionin e përbashkët që mos të ndalemi përballë sfidave dhe të punojmë për mirëqenien e qytetarit”, ka shkruar Haradinaj në facebook
Kuvendi i Kosovës të premtën mbajti seancën plenare ku në rend dite është Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, por e njëjta u ndërpre në mungesë të konsensusit në mes partive politike të pozitës dhe opozitës për miratimin e këtij projektligji.
Pas një debati të ashpër ndërmjet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe shefit të Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti dhe në mungesë të kompromisit, kryetari i Kuvendit vendosi ta shtyjë seancën për demarkacionin për të mërkurën në ora 10:00. 
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përgëzuar arritjen e marrëveshjes ndërmjet partive politike lidhur me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin.
Thaçi deklaroi se marrëveshja e sotme e partive politike, është një lajm jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës.
“Uroj të gjithë përfaqësuesit e këtyre partive politike për konsensusin e arritur, i cili përfundimisht siguron lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, uniteti i tillë i subjekteve politike, duhet të shërbejë si një kornizë afatgjate për gjetjen e zgjidhjeve për temat nacionale.
“Ky unitet politik duhet të shërbejë si një kornizë afatgjate për gjetjen e zgjidhjeve për temat nacionale, të cilat kërkojnë vullnet dhe gatishmëri për të tejkaluar interesat e ngushta partiake dhe private”, ka shkruar Thaçi në facebook.
Ndërkohë, pas arritjes së shumëpritur të konsensusit mes pozitës dhe opozitës për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit nga ana e LDK-së, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme për mediat
“Kjo konferencë do të mbahet sot, duke filluar nga ora 20:00 në ndërtesën e Qeverisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrisë.
Lajmi do të përditësohet nga redaksia e Fokus Lajm