Ndihma ekonomike, Edi Rama: Nuk shpenzojmë më para për parazitë

0
208

Gjatë takimit mëngjesin e sotëm që Kryeministri Rama ka mbajtur me drejtues të administratës vendore e qendrore të Beratit, ku ndër të tjera është trajtuar çështja e ndihmës ekonomike, ai tha se qeveria nuk do të shpenzojë asnjë para për parazitët.
“Dje kam ndeshur me një alamet djali rreth 40 vjeç, në formë fizike të admirueshme që kërkonte ndihmë ekonomike dhe në mënyrë të përsëritur i kam thënë që nesër ti mund të fillosh punë, e donte patjetër në bashki. Ndërkohë që vazhdimisht pyetjes sime a je gati të fillosh në privat, i përgjigjej pse çfarë kanë ata që punojnë në bashki më shumë se unë, më të mirë janë ata?
Pra ideja që dua 50 mijë lekë nëse s’më jepni punë në bashki është një ide që nuk do gjejë vesh tek ne, se ndihma ekonomike në radhë të parë është ndihmë për familje në pamundësi reale dhe në varfëri reale…
Dje ai goxha djalë që kisha përballë në bashki shkoi të punojë. Imagjinata është që po shkoj të marrë një rrogë dhe po rri gjithë ditën në kafene dhe po pres orën 12 që të iki në shtëpi. Qindra vende pune janë vetëm këtu.
Ndaj është shumë e qartë dhe është e ndarë, ne do vlerësojmë çdo rast ku ndihma ekonomike është domosdoshmëri për të adresuar varfërinë e thellë të një familje. Nënat kryefamiljare me fëmijë janë prioritet. Këta pastaj, djem e burra që duan ndihmë ekonomike, le të shkojnë të marrin rrugët e protestave dhe të paguhen nga organizatorët e protestave. Ne ndihmë ekonomike për këta nuk kemi.
Faktikisht e vërteta është që qëkur ka filluar ky proces ka një numër të konsiderueshëm, 1000 e ca që kanë shkuar në zyrat e punës. Për parazitët ne nuk kemi mundësi të shpenzojmë paratë e marra nga taksat”, u shpreh Rama.