I vdiq burri e 3 fëmijët, Evisa Preka mëson të vërtetën tragjike

0
236

Evisa Preka është njohur sot me vdekjen e burrit dhe të tre fëmijëve, një javë pasi familja u përfshi në aksidentin tragjik në Velipojë. 36-vjeçarja përfundoi në spital në gjendje të rëndë, pas aksidentit, ndërsa nuk ishte në dijeni të asaj që kishte ndodhur.
Këtë të diel, ku shënohet një javë nga ngjarja tragjike, nëna e tre fëmijëve ka marrë vesh lajmin e hidhur. Evisa ishte e vetmja që i mbijetoi aksidentit në Velipojë, ku bashkëshorti i saj, Edmondi, dhe tre fëmijët e vegjël, djali 9 muajsh Rajan, dhe dy vajzat Noem e Ajsel, 10 e 5 vjeçe, humbën tragjikisht jetën.
Kanë qenë mjekët e spitalit, të cilët kanë guxuar dhe i kanë dhënë lajmin gruas, gjendja e së cilës është rënduar edhe më shumë, kur është njohur me tragjedinë.
Report Tv mësoi se Evisa është shokuar dhe ka shpërthyer në lot e britma në spital, ndërsa mjekët kanë vepruar menjëherë, duke i bërë qetësues për ta vënë në gjumë.
Familja Preka u aksidentua mbrëmjen e së dielës së kaluar, ku makina ‘Alfa Romeo’ me të cilën udhëtonin u përplas me një makinë tip ‘Fuoristradë’, përplasje që rezultoi fatale për katër pjesëtarët e familjes. Nga aksidenti mbetën të plagosur dhe dy të rinj, të cilët ndodheshin në mjetin tjetër.