Rusia, kërcënuese ndaj Ukrainës

0
264

Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar ashpër sot, pas vendimit të Presidentit të Ukrainës, Pjotr Poroshenko për të dekretuar ligjin e ashtuquajtur “riintegrimi i Donbasit”
“Kievi e ka konfirmuar përfundimisht synimin e tij për ta zgjidhur me forcë konfliktin në jug-lindje të Ukrainës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën për shtyp të Ministrisë së Jashtme ruse.
“Me dekretimin e këtij ligji, Pjotr Poroshenko faktikisht i vuri vizën Marrëveshjeve të Minskut, duke i zgjidhur duart ‘partisë së luftës’, tha MPJ ruse.
Sipas saj dokumenti krijon kushte për pushtimin e dhunshëm të territoreve të pakontrolluara nga Kievi në rajonet e Donjeckut dhe Luganskut, si edhe legjitimon përdorimin e ushtrisë ukrainase kundër popullsisë civile.
Ministria e Jashtme ruse tha se hyrja në fuqi e ligjit në fjalë përkoi me përvjetorin e radhës të grushtit të shtetit të kryer nga nacionalistët ukrainas në shkurt 2014, duke shtuar se qeveria aktuale në Kiev që erdhi në pushtet përmes një puçi të armatosur, nuk njeh asnjë rrugë tjetër përveç dhunës.
Ajo kërcënoi se zbatimi në praktikë i këtij ligji përbën rrezikun e një përshkallëzimi serioz të situatës në jug-lindje të Ukrainës.
MPJ ruse i bëri thirrje vendeve perëndimore që të ushtrojnë të gjithë ndikimin e tyre tek Kievi për të parandaluar implementimin e një skenari vdekjeprurës për shtetin ukrainas dhe të mbarsur me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin dhe sigurinë evropiane.