Të moshuarit mbjellin pemë me Erion Veliajn

0
186

Banorët e Shtëpisë së të Moshuarve iu bashkuan aksionit të Bashkisë Tiranë për mbjelljen e pemëve në kryeqytet.
Veliaj tha se ky gjest tregon se për të qenë bujar nuk duhet të jesh doemos i pasur. Ai tha se është arritur në 90 mijë pemë të mbjella.
Të moshuarit e Shtëpisë së të Moshuarve të “Ali Demi”, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbollën 10 pemë mimozash pranë Debatikut, në Parkun e Madh të Liqenit Artificial.
“Shumë herë njerëzit thonë: po mirë, gjithë këto pemë, vetëm të pasurit kontribuojnë? Por, e vërteta është krejt ndryshe: janë kryesisht njerëzit e thjeshtë; ata që kanë më pak, japin më shumë. Sot i jemi mirënjohës çdo kompanie që ka dhuruar pemë, po kur mendon që Shtëpia e të Moshuarve na jep 10 mimoza, pra gjithçka që kishte, na bën të kuptojmë se bujaria, zemërgjerësia, dashuria, nuk varet nga sa ke, por nga sa do të japësh”, tha kryebashkiaku Veliaj. 
Ai i falenderoi të gjithë të moshuarit që mbollën sot pemë për fëmijët e qytetit dhe theksoi se kjo është edhe një mënyrë e mirë për të kujtuar ngjarje apo shokët ose të afërmit që nuk jetojnë më.
“U jam sot dhjetë herë mirënjohës për të dhjeta këto mimoza sepse besoj që lënë një kujtim për brezat e tjerë, një frymëzim për shumë të rinj që sot ndoshta e kanë me përtesë të çuarit nga kafja, apo ndoshta kanë alergji nga lopata, por kur kujtojmë që një gjeneratë ka bërë edhe luftën, edhe punën, në Shqipëri, edhe ndryshimin e sistemit dhe prapë gjen energji për t’i dhënë qytetit diçka mbrapsht, ky është ndoshta himni më i bukur i qytetit tonë”, shtoi Veliaj.
“Kemi edhe pak ditë për të kapur objektivin tonë me 100 mijë pemë, ndërkohë që sot sapo kemi kaluar 90 mijë. Nëse do të vazhdojmë me këto ritme, jo vetëm që do ta kalojmë më datën 21 mars, por do të kemi filluar realisht një trend. Nëse do të vazhdojmë kështu do të jemi realisht europianë, siç dëshirojmë të jemi”, u shpreh Veliaj.