Era Istrefi i rikthehet ish-it!

0
288

Këngëtarja shqiptare që arriti të bëjë famë mbarë europiane, Era Istrefi, duket se po shkon drejt një ribashkimi me ish-të dashurin e saj, menaxherin e suksesshëm Faton Shoshi.
Era dhe Fatoni nisën një romancë të bukur, të ndërthurur me biznesin e muzikës, duke arritur edhe sukses ndërkombëtar. Megjithatë, çifti ishte ndarë pak kohë më parë, sipas lajmeve që qarkulluan në mediat shqiptare.
Ishte Faton Shoshi ai që deklaroi në disa intervista, se ai profesionalisht nuk do të bashkëpunonte më me Erën, por nuk i mbylli dyert për raportet personale. Mbrëmjen e kaluar, Era dhe Fatoni rifilluan të ndjekin njëri-tjetrin në rrjetin social “Instagram”, duke ngjallur dyshime se ata janë kthyer në lidhjen e tyre.
Era këto kohë ka jetuar në Londër që prej ndarjes personale dhe profesionale nga menaxheri i saj, kurse Fatoni kryesisht është parë në shoqërinë e Ledrit Vulës dhe miqve të tij, por edhe modeleve, këngëtareve e femrave seksi në SHBA. Madje, në disa postime, ai pyeste fansat e Erës, çfarë të bënte me femrat e shumta në praninë e tij, duke ngacmuar debate rreth lidhjes së tij me Erën.
Sipas një rrëfimi që Fatoni ka bërë për mediat e Kosovës, nga menaxhimi i tij, Era Istrefi ka të papublikuara shumë këngë me potencial ndërkombëtar, siç është një bashkëpunim me Sian.
I pyetur nga “Panorama Plus” për një mundësi ribashkimi dhe cila është marrëdhënia e tij aktuale me Erën, ai u përgjigj: “Është herët për të folur rreth kësaj çështjeje. Ne jemi shokë, që do të thotë se kurrë s’jemi ndarë keq në marrëdhënien tonë. Por gjithçka pritet të shihet më vonë si do të shkojë”, tha ai.
Era Istrefi arriti famën e saj nën menaxhimin e Faton Shoshit, por para pak kohësh krisja erdhi për disa kontradikta në lidhje me projektet. Lajmet se ata nuk bashkëpunonin, erdhën pas klipit “No I love yous”, që Istrefi e realizoi me reperin e famshëm 32-vjeçar, French Montana.
Klipi u realizua në Los Angeles dhe kushtoi shumë. Për realizimin e tij, Era dhe Fatoni u vendosën në SHBA, në mënyrë që të ndiqnin me përpikmëri të gjithë fazat e realizimit të projektit, nga studioja muzikore e deri te xhirimet e klipit. Shumë data u përfolën për këtë bashkëpunim që flitej të ishte “bileta” e këngëtares Era Istrefi, pasi do i siguronte vëmendjen e të gjithë mediave botërore.
Ky bashkëpunim erdhi disa muaj, pasi Era Istrefi publikoi klipin e këngës “Redrum”, projekt, i cili pasoi super hitin “BonBon”, që e katapultoi këngëtaren shqiptare në tregun ndërkombëtar. Nga ajo kohë, Istrefi ka qenë mjaft aktive me koncerte, e ftuar në emisione ndërkombëtare apo e intervistuar nga media prestigjioze në botë, por asnjë këngë të re nuk publikoi.
Kjo periudhë u konsiderua “koha e artë” për këngëtaren nga Kosova, e cila kishte dhe karrierën dhe dashurinë. Ndërkohë, kujtojmë se ishte Fatoni ai që bëri të mundur lidhjen e kon-tratës 1.5 milionë dollarë me “Sony” dhe “Ultramusic”, kontratë që i hapi dyert e karrierës Erës në botë.
/PANORAMA PLUS