Ministria e Jashtme i kthen përgjigje Presidentit Meta

0
209

Pas rreth një jave nga momenti që kreu i shtetit i ktheu mbrapsht kërkesën për autorizimin për dhënien plotfuqisë për grupin që do të negociojë marrëveshjen e re për detin me Greqinë, sot zyrtarisht njoftohet se në presidencë kanë shkuar edhe përgjigjet e kërkuara.
Presidenti shpjegoi disa ditë më parë se kërkesa nuk ishte paraqitur në respekt të Kushtetutës dhe përcaktimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ai përmendi tre arsye pse kërkesa e MPJ nuk përmbush detyrimet kushtetuese dhe ligjore: objekti i kërkesës nuk është qartësisht i përcaktuar dhe nuk shoqërohet me hartat dhe një projektmarrëveshje, mungesa e emrave të negociatorëve, si edhe nevoja për një përcaktim më të qartë të metodologjive mbi të cilat do të zhvillohen negociatat.
Pas shpjegimeve që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dha gjatë një konference të jashtëzakonshme për mediat lidhur me këtë çështje, Ministria e Jashtme reagoi duke thënë se letrës së presidentit do t’i përgjigjej në mënyrë institucionale.
Sipas Vizion Plus informacioni i mbërritur ne Presidence është voluminoz dhe në përgjigjen e ardhur nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme jane të listuar edhe emrat e negociatoreve. 
Do të jenë dy bashkëkryetarë, Armand Skapi nga MPJ dhe Gjeneral Major Ylber Dogjani, Komandant i Flotës Detare. Emrat e tjerë janë Artur Mecollari, i larguar nga ushtria në vitin 2012, Arsen Mullai, Viktor Doda, zv/drejtoresha e Policisë, Aida Hajna dhe drejtori i AKBN Ardjan Bylyku.