Prokurori i antimafias italiane flet për çështjen "Tahiri"

0
220

Kreu i Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho po viziton sot Shqipërinë ku ka takuar ministrin Xhafaj dhe më pas kryeprokuroren Arta Marku. Ai dha mesazhin e qartë se duhet të shkëputen lidhjet e krimit me politikën dhe njerëzit e pushtetshëm.
I pyetur enkas për bashkëpunimin mes Italisë dhe Shqipërisë në lidhje me hetimet për Saimir Tahirin, ai tha: “Bashkëpunojmë me ata që kanë në objekt të punës luftën kundër krimin e organizuar. Ne kemi një rregull: Zbatojmë ligjin në mënyrë të barabartë për çdo qytetar, pavarësisht nga statusi politik apo shoqëror. Në Itali hetohet kushdo. Kjo është forca jonë në Itali”.
De Raho foli edhe për kokainën dhe kanabisin që shkon nga Shqipëria në Itali.
“Grupet kriminale në Shqipëri po bëjnë aleancë me grupet në Itali. Shqetësohemi së tepërmi për trafikun e kokainës. Grupet kriminale janë të pranishme jo vetëm në bregdetin Jon dhe zonën e Kalabrisë, por edhe në pjesën veriore të Italisë, në detin Adriatik.
Sikur e kam thënë, po krijohen aleanca mes grupeve kriminale. Kemi zhvilluar hetime të përbashkëta dhe kemi vlerësuar rezultatet për hetimet e përbashkëta. Kemi bërë hetime domethënëse, që evidentojnë bashkëpunimin që kemi pasur me Shqipërinë.
Trafiku i kanabisit vijon të jetë shqetësim për Italinë. Edhe në takimin me Xhafajn e shpjeguam që shumë hetime janë çuar përpara. Është krijuar një Task Forcë dhe kjo është e rëndësishme. Kanabisi që prodhohet në Shqipëri shkon në Itali.
Duhet të krijohet një strukturë e besueshme dhe të individualizosh njerëzit e ndershëm. Gjatë punës time kam goditur grupet kriminale, të cilët kishin persona në polici. Për vite këto struktura nuk kanë funksionuar në mënyrë të mirë dhe është e dukshme, këtë na e ka thënë edhe ministri i Brendshëm.
Vettingu tregon dëshirën e mirë që të luftohet krimi. Operacionet mes dy vendeve janë serioze për të goditur krimet kriminale. Kanabisi që po vjen në Itali, është nëpër magazinat e Shqipërisë”.