Vijojnë sot në Bruksel bisedimet Kosovë-Serbi

0
299

Sot në Bruksel pritet të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryesuesi i delegacionit të Kosovës, Avni Arifi, ditë më parë ka thënë se në takimin me palën serbe do të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur deri më tani.
Arifi ka thënë më herët se po synojnë të përmbyllin dialogun në tërësi, i cili sipas tij duhet të ketë zbatueshmëri të plotë për secilën marrëveshje.
Kryesuesi i delegacionit të Kosovës ka thënë se qëndrimi për Asociacionin do të jetë në një linjë me qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila herën e kaluar kishte gjetur 22 shkelje të Kushtetutës së vendit, në tekstin e këtij mekanizmi.
“Varësisht nga vendimi i Kushtetutës, do të bëhet draftimi ose amandamentimi i propozimit të ri. Kjo Qeveri nuk e pranon Asociacionin që përmban shkelje kushtetuese”, ka shtuar ai.
Sipas tij, nuk do të ketë marrëveshje të reja mes Prishtinës dhe Beogradit pa u implementuar në tërësi marrëveshjet e arritura më herët.
Sot në Bruksel do të diskutohen çështjet teknike që kryesisht lidhen me zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë.
Për një kohë të gjatë nuk ka pasur takime as të nivelit të tillë teknik, ndërsa i fundit që u desh të zhvillohej u anulua para se të niste, pas vrasjes në veri të Mitrovicës të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç.
Burime nga Komisioni Evropian kanë thënë për Tanjug se pritet që bisedimet të jenë konstruktive dhe të fokusuara në rezultatet e arritura në zbatimin e çështjeve të mbetura të hapura nga marrëveshja e Brukselit.
Sipas mediave serbe, ditën e parë të dialogut do të bisedohet për çështjet, siç janë: zbatimi i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe tabelat e regjistrimit të automjeteve, menaxhimi i kalimeve kufitare dhe zbatimi i marrëveshjes për gjyqësorin.
Çështjet e tjera si themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe (ASK) dhe energjetika janë në axhendën e bisedimeve ditën e dytë të takimit në Bruksel.
“Zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog është i rëndësishëm për progresin e Serbisë dhe Kosovës në rrugën drejt BE-së”, thonë në Bruksel para këtij raundi të bisedimeve.
Edhe pse në BE thonë se ende nuk kanë ndonjë datë zyrtare për një raund të ri të dialogut në nivel të lartë politik, thuhet se presidentët Vuçiq dhe Thaçi tashmë mund të takohen javën e ardhshme në një drekë të përbashkët, të cilën e organizon kryeministri bullgar Bojko Borisov në Sofje për liderët e rajonit, ku do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shefja e BE-së Federica Mogherini dhe Komisioneri Johannes Hahn.
Para vazhdimit të dialogut teknik, i cili është ndërprerë për më shumë se një vit, nga Beogradi bëjnë të ditur se gjatë bisedimeve do të ngrisin çështjen e rezultateve të hetimit lidhur me vrasjen e njërit nga udhëheqësit të serbëve në Kosovë, Oliver Ivanoviq.
Në të njëjtën kohë, në Prishtinë thonë se do të prezantohet një projekt marrëveshje të re për ASK, e cila duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.