Situata e motit në vend rëndohet më shumë

0
260

Reshjet e borës kanë përfshirë gjithë vendin, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm duke bllokuar shumë rruge rurale dhe duke krijuar probleme të shumta për qytetarët. Sipas Ministrisë së Arsimit, prej ditës së djeshme nuk është zhvilluar mësim në 82 shkolla në gjithë vendin, ndërsa pritet që numri të rritet edhe më shumë gjatë ditës së sotme.
Dëbora vijon ende prej 3 ditësh në gjithë qarkun e Dibrës, ndërsa bora ka shkuar 40 cm në Peshkopi dhe 1 metër në zonat e thella. Rrugët rurale janë totalisht të pakalueshme, ndërsa Peshkopi-Tiranë është e kalueshme vetëm me zinxirë. Proçesi mësimor është ndërprerë në të gjitha shkollat.
Mësimi nuk është zhvilluar gjithashtu në shumë shkolla të Malësisë së Krujës dhe Kurbinit, të bllokuara nga dëbora, ndërsa e njëjta situatë paraqitet edhe në disa zona të Lezhës.
Në tunelin e Kalimashit, trashësia i kalon 60 cm, ndërsa në qytet ka arritur 35 cm. 27 mjete borëpastruese janë angazhuar për mbajtjen në kontroll të këtij segmenti, i cili paraqet vështirësi në pjesë të caktuara të tij. Të bllokuara janë rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavec, Topojan, Arren, Zapod, Kalis, Grykëcaje e Malzi ndërsa proçesi mësimor nuk zhvillohet në rreth 30 shkolla.
Në qarkun Elbasan, problematik është segmenti në Qafë Thanë, i cili kalohet me vështirësi me zinxhirë, ndërsa rruga Librazhd-Bulqizë është plotësisht e bllokuar.
Shumë rrugë rurale në Elbasan, Përrenjas dhe Gramsh janë të pakalueshme dhe për këtë shkak, proçesi mësimor është ndërprerë në 9 shkolla në gjithë qarkun e Elbasanit. Edhe në Qarkun e Korçës bora i ka bllokuar rruget rurale, ndërsa në akset kombëtare qarkullimi kryhet me zinxhirë.