Acari, "Bisha nga lindja" pushton Europën

0
316

Europa vazhdon të jetë e mbërthyer nga moti i keq. Në Britaninë e Madhe, pamjet e realizuara nga shërbimi ajror i policisë londineze japin qartë idenë e efekteve të “bishës nga lindja”, siç është pagëzuar acari i ardhur nga Siberia. Pamjet tregojnë të ftohtin që vërshon në horizont, duke kaluar me re dhe dëborë mbi Londër dhe qytete të tjera. Udhëtarët janë përballur me vonesa dhe anulime të lëvizjeve në transportin publik, si dhe probleme për shkak të ngricave në trafikun rrugor, ku janë regjistruar 4 viktima. Në disa zona të Britanisë pritet që temperaturat të bien deri në minus 15 gradë celsius.

Problemet vijojnë edhe në Itali. Në stacionet hekurudhore të vendit fqinj janë verifikuar radhë të gjata në sportelet e biletarive, për shkak se shumë trenë janë mbipopulluar nga pasagjerët ndërsa të tjerë kanë anuluar udhëtimet e parashikuara. Janë 43 trenë të shpejtësisë së lartë që kanë ndërprerë shërbimet, 11 prej të cilëve në Milano, 11 në Napoli, 8 në Romë, 2 në Palermo dhe nga 1 në Ankona, Taranto dhe Leçe. Sipas agjencive italiane, i ftohti pritet të arrijë pikun mëngjesin e së mërkurës, me temperaturat që do të zbresin deri në minus 6 ose minus 7 gradë Celsius në zonat fushore. Acari siberian ka kapur të papërgatitur Napolin dhe qyteti është mbuluar nga dëbora si rrallë herë më parë. Situata ka detyruar bashkinë të urdhërojë mbylljen e shkollave edhe gjatë së mërkurës.

Ndërkohë, “bisha nga lindja” është shtrirë deri në Spanjë, ku më alarmante për shkak të akullit dhe ngricës situata paraqitet për pjesën qendrore dhe veri-lindore, sidomos në Katalonjë, ku trafiku rrugor ka hasur problemet e para. Lëvizjet e kamionëve të tonazhit të rëndë janë ndaluar, ndërkohë që situata pritet të përkeqësohet gjatë natës dhe të mërkurën.