Aksioni me kapjen e 613 kg kokainë përshendetet nga Presidenti Meta. Basha: Ekonomia e kapur nga krimi

0
311

Për aksionin e Policisë së Shtetit që u finalizua me kapjen e 613 kg kokainë kanë reaguar dhe kreu i shtetit, Ilir Meta dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta reagoi duke përshëndetur aksionin e Policisë së Shtetit për kapjen e 613 kg kokainë në Portin e Durrësit.
Presidenti Meta theksoi rrezikun që i vjen sigurisë kombëtare të vendit nga fuqizimi i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Ai kërkoi thellim të mëtejshëm dhe intensifikim të bashkëpunimit të agjencive ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë.
Presidenti Meta falenderoi Anti-Mafian italiane dhe paralajmërimet e saj konsistente për rrezikun që i vjen, jo vetëm Shqipërisë dhe Italisë, por edhe rajonit, nga fuqizimi i krimit të organizuar.
Presidenti Meta theksoi gjithashtu domosdoshmërinë për rritjen e kapaciteteve për forcimin e sigurisë së kufijve të vendit, veçanërisht të pikave të kalimit kufitar dhe inkurajon pastrimin e Policisë së Shtetit dhe gjithë agjencive ligjzbatuese nga elementët e inkriminuar, në funksion të përmbushjes me sukses të detyrimeve ligjore dhe kushtetuese.

Në një deklaratë për mediat, kreu demokrat Lulzim Basha tha se ekonomia është kapur nga paratë e krimit dhe drogës. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, në prani edhe të ish-drejtoreshës së INSTAT, Ines Nurja, Basha tha se ekonomia është në prag katastrofe.  Sipas kreut demokrat sektori i ndërtimit në Shqipëri është i financuar nga paratë e krimit. Basha ngriti akuza ndaj bashkisë së Tiranës që sipas tij është kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave të krimit e drogës.
“Së pari- kapja e ekonomisë nga kapja e drogës si sektori i ndërtimit në Shqipëri bum ndërtimesh i financuar nga çfarë?, numri i lejeve të ndërtimit në një vit është rritur me 80%, në 2016 bum i drogës, në 2017 bum i ndërtimeve. 200% është numri i ndërtesave. Përqindja e kredisë në ndërtim është njësoj si një vit më parë.
Bashkia e Tiranës është kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave të krimit e drogës”.
Basha e nisi fjalën e tij me ngarkesën rekord të 613 kg kokaine të kapur në Shqipëri. Ai tha se  e ka denoncuar dhjetra herë në parlament pastrimin e parave të pista nga koka e kanabisit, që sipas tij është transformuar brenda ekonomisë sonë.
“E kam denoncuar me dhjetra herë në parlament e media se koka e kanabisit është pasuruar me heroinë e kokainë e pastrim parash të pista. Vjen dhe rreziku ekzistencial për shoqërinë.
Basha tha se vendit i nevojitet një transfomim i thellë ekonomik për tu shkëputur nga paratë që vijnë nga trafiku i drogës.