Seanca për demarkacionin në Kuvendin e Kosovës është ndërprerë

0
260

Sipas mediave kosovare, seanca mund të mbahet pasdite për shkak të mysafirëve të lartë nga Brukseli?
Ende nuk është zyrtare, por sipas burimeve të Klan Kosova, gjasat janë të mëdha që seanca të mbahet në orën 17:00 për shkak edhe të vizitës së delegacionit të lartë të Bashkimit Evropian.
Në Kosovë pritet të mbërrijë presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker që do të zhvillojë takime me Presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
Bashkë me të në Prishtinë do të qëndrojë edhe Komisioneri për Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, si edhe shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës u ndërpre, pasi LDK kërkoi që Komisioni i Punëve të Jashtme të ndryshojë tekstin e nenit 3 të marrëveshjes duke u bazuar në marrëveshjen e arritur paraprakisht mes partive shqiptare, përjashtuar Vetëvendosjen.
Ndërkohë, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli po mbajnë një takim me deputetët e Listës Srpska, raporton Gazeta Express

Ky takim po mbahet në zyrën e Kryeministrit dhe po diskutohet lidhur me mundësinë që deputetët e Listës të marrin pjesë dhe të votojnë në seancën për Demarkacionin.
Kuvendi i Kosovës ka dështuar që të hedhë në votim dy herë demarkacionin.
Vendet aleate të Kosovës kanë bërë thirrje për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, pasi kjo çështje llogaritet si kushti kryesor për liberalizimin e vizave.