Aksidentoi për vdekje këmbësorin, pushohet çështja ndaj ish deputetit Aqif Rakipi

0
221

Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë për të pushuar hetimet ndaj ish deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi, i cili u përfshi në një aksident me pasojë vdekjen e një shtetasi 54 vjeçar, në gusht të vitit të kaluar.
Sipas prokurorisë, ish-deputeti Rakipi rezulton i pafajshëm në aksidentin ku humbi jetën një kalimtar. Sipas ekspertëve, ndërprerja e menjëhershme e rrugës nga viktima si dhe fakti që Rakipi ka patur një fushëpamje të kufizuar për shkak se anës rrugës kishte ndaluar furgoni nga ku zbriti viktima, e zhveshin nga përgjegjësia ish-deputetin Rakipi.
Përsa i takon faktit që ai u largua nga vendngjarja për t’u dorëzuar në Komisariatin e Policisë nr. 2 në Tiranë, Prokuroria e argumenton me gjendjen e rënduar psikologjike për shkak të aksidentit.
Mësohet se edhe familjarë të viktimës kanë dhënë pëlqimin e tyre, duke deklaruar se nuk kishin asnjë rezervë për hetimet si dhe ndaj ish-deputetit Rakipi.