Këshilli Bashkiak në New York nderon Kosovën

0
247

Në Nju Jork, një grup anëtarësh të Këshillit Bashkiak të qytetit organizuan të martën mbrëma një kremtim për nder të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Nismëtar kryesor ishte Mark Gjonaj, i zgjedhur muajt e fundit si anëtar i këtij këshilli prestigjioz. Aktiviteti nuk ishte thjesht një festim i pavarësisë, por edhe një nderim për sakrificën dhe përkushtimin e disa individëve në SHBA, që Kosova të mund të kishte shtetin e saj.
Këshilli i Bashkisë së Nju Jorkut, i cili tani ka një anëtar nga komuniteti shqiptar, vendosi t’i kushtojë një ceremoni 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, për të shprehur nderimin ndaj shtetit të ri dhe ndaj shqiptarëve të shumtë që jetojnë në këtë qytet. Mark Gjonaj është zgjedhur në Këshillin Bashkiak vetëm para pak muajsh.
Në sallën ku Këshilli zhvillon zakonisht seancat, hynë flamurët ceremonialë, që sillen nga pjesëtarë të Shoqatës Iliriane në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut. Pastaj luhen hymnet e Amerikës, Shqipërisë dhe Kosovës.
Zoti Gjonaj priti këtë ceremoni të 10-vjetorit të pavarësisë, për t’i njoftuar komunitetit shqiptar disa projekte, që ai thotë se janë me rëndësi:
“Një shumë prej 4.8 milionë dollarësh për një qendër të komunitetit si dhe 500 mijë dollarë për Qendrën e Paqes Nënë Tereza në Bronks.”
Zoti Gjonaj tha për Zërin e Amerikës se në Bronks do të ketë edhe një projekt mjaft të veçantë për ruajtjen e kulturës shqiptare:
“Jam krenar që njoftoj ngritjen e shkollës së parë dygjuhëshe në Shtetet e Bashkuara. Ajo do të hapet këtë shtator duke filluar që nga programi i kopshtit të fëmijëve,” tha Gjonaj.
“Do të jetë një shkollë publike ku gjysma e mësimit do të bëhet në anglisht dhe gjysma në shqip; kjo do të vazhdojë deri në klasën e tetë. Pra, fjala është për 5 ditë në javë dhe me orar të plotë gjatë gjithë vitit shkollor. Është e vetmja mënyrë që ne të ruajmë gjuhën tonë dhe jam shumë krenar që njoftimin e bëj me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës,” njoftoi ai.
Grupi i Valleve Rozafati, solli në sallën e Bashkisë një pjesëz të gjallë shqiptare nga mozaiku shumë-etnik i Nju Jorkut.
Në ceremoni ishin disa të ftuar nderi, mes tyre kongresmeni nga Nju Jorku, Eliot Engel. Anëtari i Këshillit Bashkiak, Andrew Cohen, i dorëzoi atij një certifikatë mirënjohjeje për lobimin e gjatë në favor të Kosovës.
Zoti Engel tha se ka shumë rëndësi që SHBA të ruajnë lidhjet e ngushta me Kosovën.
“Kosovës i është mohuar anëtarësimi në OKB, por ne nuk do të ndalemi deri sa ajo të pranohet. Për tre vota asaj iu mohua hyrja në UNESCO. Ne do të vazhdojmë të luftojmë edhe për këtë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian dhe që ajo të ketë një ushtri. Nuk ka arsye që ajo të mos ketë ushtri dhe ne do të luftojmë që kjo të realizohet,” tha anëtari i Kongresit amerikan.
Teuta Sahatçija, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, foli gjithashtu me optimizëm. Edhe pse Kosova ende përballet me vështirësi, edhe pse nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, procesi është i pakthyeshëm, tha ajo. “Pavarësia e Kosovës do të bëhet çdo ditë e më fortë.”
Në sallë kishte pjestarë të Batalionit Atlantiku, shqiptarë të Nju Jorkut që shkuan në Kosovë në vitin 1999 për të luftuar krahas UÇK-së.
Një certifikatë mirënjohjeje iu dha artistit të fotografisë Fadil Berisha, i cili ka luajtur rol si aktivist filantrop dhe humanitar gjatë luftës në Kosovë.
Ritchie Torres, anëtar i Këshillit Bashkiak, u shpreh:
“Gjatë luftës në Kosovë, Fadil Berisha u angazhua në fushatën ‘Ndaloni Vrasjet’ që njerëzit të mësonin për vrasjet që po ndodhnin në Kosovë, spastrimin etnik dhe gjenocidin. Arti dhe bujaria e Fadil Berishës pasqyron shpirtin e qytetit të Nju Jorkut, ndërkohë që historia e tij pasuron qytetin tonë dhe meriton vlerësimin e të gjithë njujorkasve”./Zëri i Amerikës