Marrëveshja me Greqinë, zbardhen vërejtjet e Presidencës ndaj Qeverisë

0
237

Vizion+ ka zbardhur kërkesën e mbërritur mbrëmjen e së martës në Ministrinë e Jashtme nga Presidenca, në të cilën Ministrit të Jashtëm i kërkohet informacion shtesë lidhur me nisjen e negociatave me Greqinë për marrëveshjen e detit.
Në letrën që i referohet Vizion+, duket se informacioni i dytë i mbërritur në Presidencë nuk ka qënë shterues dhe ka pasur një sërë mangësish, në dokumentacion dhe në përmbajtje.
Në të renditen 7 pika, për të cilat kërkohet informacion më i detajuar, duke nisur që nga titulli i marrëveshjes, i cili duhet të ndryshohet, pasi në negociata veç Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike, sipas Ministrisë për Europën dhe Punet e Jashtme, do të diskutohet edhe mbi kufirin shtetëror.
Për këtë arsye, kërkohet që titulli të jetë “Marreveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikes së Greqisë për Saktësimin e Kufirit Shtetëror Detar dhe Delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike”.
Pika tjetër e cila nuk ka marrë përgjigje, pavarësisht se ishte edhe në kërkesën e parë të Presidentit Meta, eshtë mungesa e informacioneve lidhur me takimet e zhvilluara mes Ministrit Bushati dhe Ministrit Kotzias.
Sipas Presidencës, rezulton se Ministria e Jashtme ka percjellë informacione vetem për dy takime të zhvilluara në nivel ekspertesh, ndërsa nuk ka dhënë asnjë detaj lidhur me takimet e zhvilluara mes Bushatit e Kotzias në Kretë dhe në Korçë.
Po ashtu, kreu i shtetit vëren se mungon një analizë e brëndshme mbi këtë çeshtje, edhe pse vetë Ministria e Jashtme e kishte këtë proçedure ndër më kryesoret.
Ne letrën që Vizion+ i referohet, i kërkohet Ministrisë që të hartohet një analizë e brëndshme tekniko-ligjore si dhe një platformë negocimi, duke përfshirë studime që nisin që nga pasuritë minerare e deri tek ato arkeologjike, për këtë zone.
Mungesa e kësaj analize, thuhet në letrën e Presidencës, sjell moszbatimin e një prej detyrave të lëna nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj te 2010, që lidhet me ujërat e brendshme si dhe vijën e drejtë bazë të bregdetit shqiptar.
Një tjetër pikë e rëndësishme që del në pah nga letra është fakti që pala shqiptare nuk ka asnjë harte me të cilen do të ulet në tryeze me palën greke. Vetë ministria ka konfirmuar këtë fakt, ndërsa Presidenca saktëson se në këto kushte  grupi negociator nuk është teknikisht i përgatitur për të filluar negociatat. Presidenca vëren në letër se grupi do duhet të kishte disa alternativa hartash me të cilat do te negociojë me palën greke.
Për këtë arsye, Presidenca kërkon nga Ministria që të përgatiten materialet hartografike, të cilave do duhet ti bashkangjien edhe dokumente të tjerë
Vija delimituese sipas Protokollit të Firences dhe hartes që e shoqëron atë.
Vija delimituese sipas Marrëveshjes së ndarjes së Shelfit Kontinental midis Italisë dhe Shqipërisë
Ujërat e Brëndshme, Ujerat Territoriale dhe Vija e Drejtë Bazë e Republikës së Shqipërisë
Vija delimituese sipas marrëveshjes së vitit 2009 lidhur midis Greqisë dhe Shqipërisë
Vija delimituese sipas Marrëveshjes së lidhur midis Greqisë dhe Italisë.
Në fund të letrës për informacion, Presidenti i Republikës kërkon nga Ministria e Jashtme ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune.
Ai duhet të ketë mandat dhe kompetenca të mirëpercaktuara nga ana e Kryeministrit, me qëllim administrimin, mbledhjen, vlerësimin e gjithë situatës teknike dhe ligjore, “analizës së brendshme” si dhe përgatitjen e nje platforme qeveritare për të hyrë në negocim me palën greke.
Gjithashtu kërkohet që  qeveria shqiptare të ndërmarrë menjeherë masat e nevojshme për plotësimin e çdo mangësie që mund të rezultoje qoftë në kuadrin e brendshem legjislativ, apo në dokumentacionin teknik.
Pritet përgjigja e Ministrit Bushati dhe për të përgatitur informacionet shtesë të kërkuara nga Presidenca.