Ndryshon qëndrim, Donald Trump kundër armëve

0
239

“Mos u tmerroni nga lobi i fuqishëm i armëve!”, i tha Donald Trump disa kongresmenëve duke u larguar nga qëndrimi i partisë së tij. Ai i kërkoi atyre të dalin me një projektligj gjithëpërfshirës mbi reformën e armëve, në mënyrë që të zgjerohet kontrolli i historikut të individivëve që duan të blejnë armë, si edhe të ngrihet mosha ligjore e blerjes së një arme, nga 18 në 21 vjeç.
Takimi i Trumpit me kongresmenët erdhi pas sulmit tragjik nga një adoleshent në një gjimnaz të Floridës, që shkaktoi 17 viktima, por edhe referuar rasteve të tjera të mëparshme.
Ndryshimi i menjëhershëm i qëndrimit të tij lidhur me “armët” ka habitur mjaft ligjëvënës e opinionistë. “Presidenti i la ligjvënësit me gojë hapur”, shkruan “New York Times”.
Për CNN-in, komentet e Trumpit i kanë trazuar sërish republikanët, mbështetës të hapur të së drejtës së amerikanëve për të zotëruar armë, të cilët i shohin kufizimet në këtë drejtim si shkelje të amendamentit të dytë të Kushtetutës amerikane.
“Ata kanë pushtet të madh mbi ju, – u ka thënë Trumpi ligjvënësve, duke iu refuar lobit të armëve “NRA”, – por kanë shumë më pak pushtet mbi mua”.
Presidenti tregoi gjithashtu se përkrah idenë që policia t’ua konfiskojë armët personave të konsideruar të rrezikshëm edhe pa urdhër gjykate, ndërsa vazhdon t’i qëndrojë mendimit se mësuesit duhet të armatosen.
Deklaratat e tij për kontrollin e armëve kanë ndryshuar edhe më parë. Në fillimin e vitit 2000 e mbështeti ndalimin e armëve të sulmit, por ndërsa i afrohej nominimit republikan për Shtëpinë e Bardhë u përshtat më shumë me bindjet e partisë së tij. Tani ndryshon sërish qëndrim.