547 vite nga Besëlidhja e Lezhës

0
243

Krerët më të lartë të shtetit si edhe autoritet lokale në mbarë vendin kanë njoftuar për një sërë aktivitetesh që do të mbahen sot me rastin e 547 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Por ç’është Besëlidhja e Lezhës dhe çfarë simbolizon ajo për shqiptarët?
Besëlidhja e Lezhës e njohur edhe si Lidhja Shqiptare e Lezhës, Kuvendi i Lezhës, Liga e Princërve Shqiptarë, është Kuvendi i Princave Shqiptarë të vitit 1444, të cilët dëshironin të shkëputen nga lidhja me perandorinë osmane e cila krijohej me ndikimin ushtarak Osman.
Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë. Si organizator i kuvendit merret i posakthyeri nga Stambolli, gjenerali (Skënderbeu) shqiptar në perandorinë osmane, Gjergj Kastrioti.
Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botë krishtere ishin të njohura si toka të perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit. Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa pasi që me këtë do të ndalohej apo së paku do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan e që në vete sillte edhe fenë islame.
Princërit që morën pjesë ishin Gjergj Arianiti; Andrea Topia (Thopia), Stërnip i Karol Thopisë, princ i krahinës midis Krujës dhe Durrësit, i shoqëruar nga dy djemtë e tij dhe nga i nipi Tanush Topia; Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princër të tjerë të Myzeqesë; Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës; Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë gjerë në kufi të Serbisë; Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës; Pjetër Spani, princ i Malësive të Shoshit e të Shalës i shoqëruar nga të katër djemtë e tij; Lek Dushmani, princ i Zadrimës; Stefan Çernoviçi, princ i Malit të Zi. Veç këtyre u mblodhën në Kuvend edhe përfaqësues të republikës së Venedikut si vëzhgues.
Kjo besëlidhje mori disa vendime. Vendimet e kuvendit ishin, krijimi i një Besëlidhje Arbërore me në krye Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria e besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut. Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtri, me ushqime dhe para kundër Sulltan Muratit II.
Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit politik të tokave shqiptare në një shtet të përqëndruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.