Ilir Meta priti në Presidencë deputetët e Komisionit të Jashtëm 

    0
    231

    Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi në Presidencë një takim me deputetët e Komisionit të Jashtëm për të biseduar në lidhje me çështjen e negociatave me Greqinë dhe komunikimin mes Kreut të Shtetit dhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.
    Ky vendim i Presidentit u mor pas kërkesës së opozitës në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit për të thirrur edhe Presidentin në seancë dëgjimore, pas asaj të zhvilluar me ministrin Bushati.
    Mësohet se fillimisht Presidenti Meta kishte pranuar të paraqitej në komision, por ndryshoi qëndrim pasi këshilltarët pranë tij e udhëzuan që takimi të mbahej në Presidencë.
    Dy ishin arsyet:
    E para, thirrja për seancë dëgjimore në komisione ka vlerën e një llogaridhënieje para deputetëve dhe kjo, sipas këshilltarëve të Presidentit, do ta ulte Kreun e Shtetit në rangun e një ministri.
    E dyta, raportimi i Presidentit në një komision të Kuvendit do të përbënte një precedent me rrezik, duke e ekspozuar Presidentin ndaj thirrjeve të tjera të mundshme në të ardhmen, edhe për çështje që mund të mos ketë dëshirë të trajtojë.
    Pas takimit mes presidentit Meta me deputetët e Komisionit të Jashtëm për çështjen e negociatave me Greqinë për ndarjen e kufirit, që përfundoi rreth orës 10:00 sot, i pari që foli ishte deputeti Edi Paloka, i cili tha se edhe mazhoranca ra dakort që qëndrimi i Presidentit ishte korrekt.
    “Pas parashtrimit të Presidentit lidhur me qëndrimin e tij, ramë dakort që të gjithë, që qëndrimi i Presidentit është qëndrim korrekt dhe i përgjigjet përgjegjësisë dhe detyrimit që ka për të qëndruar tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Paloka.

    Deputeti i PD-së, Paloka tha se shqetësimi kryesor i opozitës ishte transparenca, ndërsa pati edhe kërkesa për një verifikim më të mirë të grupit të negociatorëve.
    Deputeti tjetër i PD, Tritan Shehu ritheksoi edhe njëherë se Partia Demokratike është e gatshme që çështja të dërgohet në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë, ndërsa Klajda Gjosha nga LSI tha se duhet të kalohen më parë të gjitha etapat.