Zgjedhjet në Itali, parashikime të paqarta

0
211

Sot italianët po i drejtohen qendrave të votimit, në një proces që duket më i paqartë se kurrë.
Janë tre partitë që synojnë fitoren, Forza Italia e Silvio Berlusconit, që ka prezantuar tashmë si kandidat për kryeministër Presidentin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani; Lëvizja 5 Yjet e Luigi di Maios, 31-vjeçarit që pretendon t’i japë fund “status quo”-së dhe Partia Demokratike e qendrës së majtë, e ish-kryeministrit Mateo Renzi, që sidoqoftë, nuk është në nivele fort të kënaqshme mbështetjeje.
Berlusconi, 4 herë kryeministër i vendit, tenton rikthimin pavarësisht se vetë ai e ka të ndaluar të mbajë poste publike. Një parlament i fragmentarizuar duket se do të jetë rezultati më i mundshëm, me asnjë nga partitë apo koalicionet që duket se nuk do të mund të marrë mbështetje të mjaftueshme për të fituar një shumicë të qartë.
Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 23:00, ndërsa “exit poll”-et e para priten shumë shpejt pas mbylljes së tyre.