Moti drejt përmirësimit, por ka ende fshatra të bllokuara nga dëbora

0
262

Situata e motit është përmirësuar në pjesën më të madhe të territorit dhe temperaturat po rriten pas ditëve të ftohta të javës së shkuar, por në disa zona të thella në veri dhe veri-lindje ka ende disa fshatra të izoluara nga dëbora.
Në qarkun Shkodër, 4 akse rrugore rurale janë të bllokuara nga dëbora, konkretisht Bogë-Theth, Mali Shoshit-Bregu i Lumit, Muri i Turkut-Shllak, Fushë Arrëz- Iballë. Në rrugën Tamarë-Vermosh, automjetet mund të kalojnë veteëm me zinxhirë, ndërsa në njësitë administrative Shalë, Pult, Shosh, Temal, Shllak dhe Iballë, ka pasur mungesë të energjisë elektrike.
Në qarkun Kukës, aksi rrugor rural për në Njësinë Administrative Arrën vazhdon të jetë i bllokuar. Në Njësinë Administrative Lekbibaj janë 4 fshatra të bllokuar nga dëbora, ndërsa në njësinë administrative Tropojë e Vjetër mungon energjia elektrike.
Në qarkun e Dibrës aktualisht janë të bllokuara nga reshjet e dëborës 30 familje në Njësinë Administrative Xibër dhe në disa fshatra të Bashkisë Bulqizë. I bllokuar nga reshjet e dëborës është edhe aksi rrugor Xibër-Tiranë.