Thaçi takohet me zyrtarin e DASH: Kosova nuk pranon ndarje, shkëmbim territoresh apo autonomi

0
186

Thaçi takohet me zyrtarin e DASH: Kosova nuk pranon ndarje, shkëmbim territoresh apo autonomi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi priti në një takim ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell. Pas bisedës, ata dolën në një konferencë për shtyp të mbajtur në ambjentet e aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë. Gjatë fjalës së tij, Thaçi bëri me dije se në takimin me zyrtarin e Departamentit Amerikan të Shtetit është zotuar që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë sipas asaj që parashikon kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
Më tej kreu i shtetit të Kosovës tha se Demarkacioni me Malin e Zi do të ratifikohet shumë shpejt në Kuvend. Gjithashtu bëri me dije se diskutoi me zyrtarin e Administratës së presidentit Donald Trump lidhur me themelimin e ushtrisë së vendit. Të njëjtën gjë konfirmoi dhe Mitchell.
“Folëm për ndryshimet kushtetuese dhe e theksova para presidentit se askush nuk ka të drejtë të vërë veto mbi sigurinë e Kosovës”, u shpreh në konferencë ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike.
Më tej ai mohoi raportimet e mediave serbe se ka ardhur me një plan për Kosovën të cilin do t’ia shpaloste presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Zyrtari amerikan akuzoi Rusinë se po luan një rol destruktiv në Ballkan duke shpërndarë dezinformata dhe duke dëmtuar institucionet demokratike. Ai tha se u është bërë e qartë rusëve se kjo nuk është në interesin e tyre dhe as në interesin e popujve të rajonit. Në fund edhe Mitchell bëri thirrje për miratimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Me vizitën në Kosovë, zyrtari i DASH nisi turin e vizitave të tij në Ballkan. Të martën ai do të udhëtojë për në Maqedoni, të mërkurën në Serbi dhe të enjten do të vizitojë Greqinë.