Ishte koha kur po të martoheshe me një mysliman, të digjej shtëpia

0
207

Me krenari, sot, nisur nga mesazhet e vendeve mike dhe të vetë Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, proklamojmë një ndër virtytet tona më të mëdha, atë të bashkëjetesës fetare. Për disa, bashkëjetesa është një sajesë hipokrite që nuk lejon njerëzit të shprehin hapur mendimet e tyre, ndërsa për të tjerë, është një vlerë e pamohueshme e popullit dhe kombit shqiptar.
Por duhet të jemi të vetëdijshëm se jo gjithmonë ka qenë kështu. Bashkëjetesa fetare, nuk është imagjinuar e jo më të ketë ekzistuar, para një shekulli. Martesat mes dy feve të ndryshme konsideroheshin turp dhe familjet respektive ndëshkoheshin nga të tjerë besimtarë që përbënin grupet e dikurshme fetare.
Ndoshta ka qenë një rrymë ekstremizmi e të dyja palëve, qoftë të krishterëve, qoftë e myslimanëve, por sërish, është diçka që nuk duhet fshirë nga historia.
Meshtarët katolikë, si një ndër misionet e tyre, kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë përhapjen e “Fjalës së Zotit”, zanafillës së gjithçkaje, pasi në Bibël shën Gjoni shkruan “Në fillim ishte fjala!”.
Për të përmbushur këtë mision, kongregata të caktuara, krijonin “Misionet shëtitëse” të cilat, kryesisht në verë kur moti ishte më i përshtatshëm, shkonin në vendet më të vështira e me reliev të ngritur e të thyer për të lexuar Ungjillin e për të dhënë sakramentet (pajtimet me Zotin).
I tillë ishte “Misioni shëtitës Jezuit” i cili përbëhej nga disa meshtarë jezuitë që shërbenin në Shkodër. Të kryesuar nga Atë Giussepe (Zef) Valentini dhe Atë Domenico Passi, shkonin në majat më të larta e zonat më të thella të veriut në ekspedita misionare.
Gjatë kësaj kohe, mbanin të informuar vazhdimisht qendrën e tyre në Shkodër e cila më pas informonte eprorët jezuitë në Itali.
Në një nga letrat e Atë Domenico Passit, ruajtur nga Atë Zef Valentini dhe botuar po nga ai në një vepër me titull “Ligji i maleve shqiptare”, ribotimi i së cilës është bërë nga shtëpia botuese “Plejad”, jepet një dëshmi interesante.
Letra është e vitit 1891 dhe ngjarja ka ndodhur në fshatin Dardhë të Pukës:
Djegie shtëpie për martesë të vajzës me një mysliman
Një farë Sadiku ia kishte dhënë vajzën e tij për grua një myslimani dhe këtë e kishte bërë pa miratimin e ligjit që thoshte se nuk duhej të bëheshin kurrë më të tilla mizorish, dhe pas masave të vendosura se do t’i digjej shtëpia atij që thyente këtë ligj e do të përzihej për pesë vjet nga fshati pa u lejuar të banonte e të punonte tokat e tij aty.
Për këtë ndodhi kisha dëgjuar diçka, por doja të dija më mirë se si kishte ngjarë.
Mëngjesin e nesërm, që pa u gdhirë mirë, thashë Meshën dhe kur morën vesh ardhjen time nisën të vijnë shumë persona si për të marrë pjesë në thënien e Meshës, si për të pagëzuar fëmijët e sapolindur.
Kur morën vesh se tashmë e kisha thënë Meshën, mbetën të habitur, atëherë unë u shpjegova se nuk do ta thoja Meshën për fshatin, nuk do të bëja as bekimet dhe nuk do të bëja asnjë funksion tjetër fetar,vetëm se do të pagëzoja fëmijët dhe do të bekoja martesat deri sa të ishte trajtuar faji i atij që i kishte dhënë vajzën myslimanit.
Pas pak thirra kryetarët e fshatit dhe u thashë edhe atyre të njëjtat gjëra: ata më premtuan se të nesërmen me datë 25 tetor, që binte e diel, do të mblidhnin të gjithë fshatin dhe do të dënonin fajtorin.
Në të vërtetë, të nesërmen në mëngjes, në një lëndinë afër kishës, një e shtënë pushke nga shtëpia e Sadikut, e njoftoi fajtorin se sipas udhëzimit të ligjit dhe pas njoftimit të imzot Peshkopit, do t’i digjej shtëpia dhe ai duhej të largohej nga fshati, sepse nuk ishte as e drejtë dhe as e pranueshme që për fajin e një personi që shkel ligjin të mbetej i gjithë fshati pa Sakramentet e pa bekimet, kur Atë Deda [Domeniku] kishte urdhër të mos bëhej asnjë shërbesë fetare derisa të mos ishte zbatuar vendimi i ligjit.
Sadiku u mundua të justifikohej e të mbrohej aq sa mundi, por kur pa se ishte e pamundur, u tërhoq dhe kërkoi vetëm t’i jepnin pak kohë sa të siguronte ca grurë e ca gjëra të tjera që i kishte në shtëpi.
Ia dhanë lejen dhe caktuan katër persona që ta ndihmonin; dhe kështu pas gjysëm ore iu vu flaka shtëpisë. Sadikut iu dha leje të flinte në fshat atë natë dhe të nesërmen duhej të largohej.
Ky qe një triumf dhe një goditje për vdekje që iu bë zakonit të keq të martesës së vajzave me myslimanë; që sot e tutje do të jetë shumë e vështirë të shkelet ky ligj.
Atë Domenico Passi S.J /Konica