SI U BË IBIZA AJO QË NJOHIM SOT?

0
574

Vera ka ardhur dhe të gjithë ata që nuk munden të udhëtojnë, bëjnë po të njejtën gjë, fshijnë lotët nga ekrani i celularit kur shohin Instagramin. Nuk po na qan syri vetëm për pak det, është zyrtarisht sezoni i party-ve më të mira në të gjithë botën. Të gjithë DJ-të më në zë të momentit duket se kanë një destinacion të përbashkët: Ibiza! Disa prej tyre janë rezidentë, ndërsa të tjerë janë të ftuar specialë. Ajo që kanë të përbashkët është se të gjithë DJ-të, pa përjashtim, bëjnë gjithmonë një postim të veçantë sa herë përformojnë aty. Nuk i vëmë dot faj! Thjesht nga nje video që ata postojnë mund të dallohet që ka një vibe ndryshe nga çdo vend tjetër. Ka shumë vende që mbledhin njerëz nga e gjithë bota, sigurisht që çdo vend ka bukurinë e vet, por duket sikur Ibiza është ndryshe. Ka diçka magjike në këtë ishull që shumë njerëz e shpjegojnë thjesht me një “je ne sais quoi”. Por si arriti Ibiza të bëhët ajo që është sot? Hulumtuam pak dhe ja se çfarë arritëm të zbulonim:

Ibiza e ka nisur aktivitetin e saj si një ishull argëtimi rreth viteve ‘70 , kur lëvizja e hippie-ve ishte në kulminacionin e saj. Kjo nuk do të thotë se ky ishull ka qenë i shkretë. Në vitet ‘30, ‘40 dhe ‘50, Ibiza ka qenë një ishull shumë bohemian. Artistë të ndryshëm si poetë, shkrimtarë, piktorë, etj. zgjidhnin ishullin piktoresk për të reflektuar dhe për t’u frymëzuar për artin e tyre. Gjërat ndryshuan pak përgjatë revolucionit civil spanjoll ku ishulli pësoi një izolim. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme pasi ky izolim, jo vetëm që i bëri vendasit tolerantë kundrejt vizitorëve hippie, por madje i bëri shumë mikpritës. Historia nis këtu!

Vitet ‘70 sollën një vrull të madh turistash që donin të shijonin lirinë e ishullit. Jeta e vërtetë e natës nisi pasi dy club-et e para u hapën: Amnesia dhe Pacha.

Amnesia fillimisht ishte një vilë borgjeze ku familja Planells jetonte prej pesë brezash. Ata vendosën të transferoheshin në qytet dhe ia shitën vilën një vejushe me prejardhje aristokratike. Nuk ishte ajo që krijoi atë që do të njihej më vonë si club-i i parë në Ibiza, ishte Antonio Escohotado i cili proçedoi për të marrë lejen e krijimit të një diskoteke. Vizioni i tij ishte i një vendi ku njerëzit do të festonin dhe do të harronin të gjitha problemet e jetës së tyre, të paktën për disa orë. Nga ku doli edhe emri Amnesia.

Club-i i parë i stilit modern që erdhi në Ibiza ishte Pacha. Pacha nuk ishte një koncept i ri pasi ishte prezent në qytetin bregdetar të Sitges që në vitin 1967. Gjashtë vite më vonë, ishin vëllezërit Urgell, Ricardo dhe Piti, të cilët e hapën dhe më vonë u kthyen në DJ themelues të këtij Super Club-i.

Dhe e gjithë pjesa tjetër është histori. Nëse do të keni rastin që ta vizitoni këtë ishull, do të arrini të dalloni akoma elemente hippie të cilët i kanë mbijetuar kohës. Ajo që dallohej më së shumti nga ky hulumtim historik është se pika kryesore e këtij ishulli nuk ishte bukuria natyrore por toleranca e njerëzve. Një mendje e hapur është ajo që e karakterizon Ibiza-n, një mendje e hapur dhe një dëshirë e madhe për t’u bashkuar dhe për të festuar këtë rrugëtim të çuditshëm që e quajmë jetë. Gati çdo ditë e jetës tonë është një luftë dhe Ibiza e di shumë mirë këtë gjë. Ndaj ajo çdo vit fton të gjithë për të festuar mbi betejat që kemi fituar dhe të karikojmë energjitë tona për të fituar betejat e së ardhmes.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here