Në shtator me pagesë, miratohen tarifat e Rrugës së Kombit

0
334
Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga qeveria, pagesa në Rrugën e Kombit do të rinisë në 17 shtator. Burime nga grupi negociator ndërministror kanë bërë me dije për mediet se është arritur marrëveshja që përcakton se për banorët e qarkut Kukës dhe për 11 linja të transportit publik, tarifa do të jetë 100 lekë për një kalim. Ndërsa për frekuentuesit e shpeshtë do të ketë ulje nga 10% deri në 40% në varësi të numrit të kalimeve që bënë në rrugën e Kombit në një muaj. Mësohet se mes qeverisë dhe kompanisë koncesionare është arritur marrëveshja pas negociatave 60-ditore. Kryeministri Edi Rama nuk e ka komentuar kohët e fundit çështjen e taksës së Rrugës së Kombit, por gjatë turit të llogaridhënies me banorët e Lezhës ai tha se brenda 60 ditëve do vendosej një tarifë e re për banorët e Kukësit.
“Qeveria do të propozojë një ndryshim të rëndësishëm të tarifës së ‘Rrugës së Kombit’ për gjithë banorët e Kukësit, sepse ishte e papërballueshme dhe do të lëmë një periudhë kohe deri në shtator për t’i informuar” pohoi kryeministri Rama.
Vendosja e tarifës u shty pas sezonit turistik edhe si pasojë e kërkesës së bërë nga bizneset kosovare dhe përfaqësuesit e qeverisë, në mënyrë që të mos rezultonte një barrë më tepër për pushuesit që vijnë nga Kosova. Pavarësisht këtyre lehtësirave, banorët e Kukësit dhe drejtuesit vendorë kanë kërkuar që pagesa për ta të jetë 0 lekë. Të pakënaqur duket se janë edhe pëfaqësuesit e qeverisë kosovare. Pak ditë më parë ministri kosovar i Infrastrukturës, Pal Lekaj deklaroi se i qëndron idesë se tarifat e vendosura janë të larta.
Tarifat e propozuara fillimisht janë më të lartat në Europë dhe nuk përkojnë me gjendjen ekonomike të familjeve dhe të bizneseve në të dyja vendet.
Tarifa e kalimit në rrugën Durrës-Kukës u vendos për herë të parë në fillim të muajit prill në masën 5 euro për një kalim ose 10 euro vajtje-ardhje. Kjo pagesë u kundërshtua nga banorët, të cilët dy ditë pas vendosjes së taksës protestuan duke djegur pikën e kalimit me pagesë.
Tarifat për kalimin në Rrugën e Kombit:
Tarifa për banorët e qarkut të Kukësit 100 lekë
Edhe për 11 linja të transportit publik pagesa 100 lekë
Për përdoruesit e shpeshtë është parashikuar që:
Nga 10 deri në 30 kalime në muaj, zbritje në masën 10%
Mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, zbritje në masën 20%
Mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, zbritje në masën 30%

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here