Japonia u eliminua mbrëmjen e së hënës nga Botërori pasi ishte në avantazh 2-0 ndaj Belgjikës.

Japonezët bënë një paraqitje shumë dinjitoze në Botëror, ashtu si edhe tifozët e tyre, të cilët treguan se janë të qytetëruar duke pastruar shkallët e stadiumit pas çdo ndeshjeje, diçka e pazakontë në stadiumet evropiane.

Por, duket se këtë zakon nuk e kanë vetëm tifozët, por edhe futbollistët japonezë. Edhe pse të trishtuar për humbjen në fund, lojtarët dhe stafi teknik e lanë dhomën e zhveshjes të pastër para se të largoheshin nga aty.

Aq mirë e kishin pastruar, sa fotoja duket sikur është bërë përpara se të niste ndeshja.

Përveç kësaj, kishin lënë edhe një letër ku shkruhej “Falemnderit” në rusisht.