Lumi i Shalës është një destinacion turistik që përshkruhet nga vizitorët që e kanë parë nga afër si perla e bukurive të Komanit.

Ngjyra e ujit është karakteristikë e këtij lumi dhe shkëmbinjtë e thepisur duket sikur prekin qiellin.

Ai buron rrëzë Alpeve Shqiptare dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Liqenin e Komanit ku derdhet.

Lumi është i pasur me një shumëllojshmëri faune ujore, por më e përhapur është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla lumore.

Ky lumë, vitet e fundit është bërë një destinacion turistik si për të huajt, ashtu dhe për vendasit, nga ku vizitorët e shumtë e përshkruajnë si perlën e bukurive të Komanit e të Shqipërisë.

Çdo javë nisen drejt këtyre burimeve ujore me bukuri të rrallë agjenci të shumta të shërbimit turistik.

Përveçse ujit të kaltër, bukurisë mahnitëse përreth lumit kjo është edhe një zonë plot me vlera kulturore dhe historike.

Sipas gojëdhënave, princi Lekë Dukagjini i kaloi vitet e fundit të jetës në këtë zonë, ku gjen emërtime të tij si për shembull Guri i Lekës, një pikë strategjike që sheh luginën, nga ku mendohej që Dukagjini ruante vendin nga ardhja e turqve.