Spanjë, një qytet arab i lashtë në UNESCO

0
487

Rrënojat e Medina Azaharës, një qytet mesjetar arab pranë qytetit Cordoba në Spanjë, iu shtuan listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Organizata kulturore e Kombeve të Bashkuara tha se qyteza mijëvjeçare është një thesar arkeologjik, ku gjenden rrënoja ndërtesash, rrugësh, urash, sistemeve të ujit dhe objekte të jetës së përditshme.
Medina Azahara u ndërtua në shekullin e 10-të, një qytezë-simbol, në rivalitet me kalifatin e Bagdadit, por u shkatërrua më pak se një shekull më pas, gjatë një kryengritjeje që i dha fund kalifatit të Cordobës.
Rrënojat e qytetit ishin lënë në harresë për më tepër se 1 mijë vjet, deri kur u zbuluan, në fillim të shekullit të 20-të. Arkeologët thonë se në qytetin e lashtë lulëzonte shkenca dhe kultura.
“Ishte shumë e zhvilluar matematika, astronomia, mjekësia, bimët medicinale, letërsia dhe mbi të gjitha, filozofia, që i hapën rrugën Rilindjes Europiane në shekujt 15 dhe 16. Qyteti ishte ndërtuar mes viteve 936 dhe 940 nga sundimtar-kalifi Abderraman III dhe ai u bë kryeqyteti i Al-Andaluzisë, që zinte më tepër se dy të tretat e Gadishullit Iberik”, thotë arkeologu Alberto Montejo.
Pas disa dekadash lulëzimi, qyteti-pallat i madhërishëm, konsiderohej si një margaritar i Al-Andaluzisë, apo Spanjës Myslimane të Mesjetës, që u rrafshua gjatë luftës civilenë fillim të shekullit të 11-të. Ndryshe nga qytete të tjera-kalifate, si Kairo dhe Bagdadi, në Medina Azahara nuk ka patur ndërtime të reja mbi rrënoja. Arkeologët thonë se rrënojat e lashta të qytetit janë relativisht të ruajtura mirë.
“Qyteti ka mbetur i paprekur pas disa grabitjeve në Epokën Mesjetare dhe Moderne. Nuk ka patur plaçkitje të mëvonshme dhe asgjë nuk është ndërtuar mbi rrënoja. Kështuqë, nga pikëpamja shkencore dhe arkeologjike, urbanistika dhe dekoracionet e tij janë të riparueshme, me synimin për të kuptuar se si funksiononte një qytet nën kalifat në shekullin e 10-të”, thotë arkeologu Alberto Montejo.
Qendra arkeologjike e Medina Azaharës shtrihet në 115 hektarë dhe vetëm 10 për qind e qytetit është gërmuar. UNESCO tha se qendra e shekullit të 10-të e banuar nga arabë, ofron “njohuri të thella për Civilizimin Mysliman të Perëndimit, atë të Al-Andaluzianëve, që sot nuk ekziston më, në kulmin e shkëlqimit të tyre.
Top Channel

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here