Ja çfarë do të bëjë Rossi pasi të tërhiqet nga Moto GP

0
160

Gara e radhës e Botërorit të Moto GP është e veçantë për Valentino Rossi, pasi legjenda italiane e garave të motoçiklizmit do të garojë në pistën e Misano, pak kilometra larg shtëpisë dhe fansave të tij. Për këtë arsye, piloti italian i Yamaha kërkon të bëjë një paraqitje të mirë, pse jo edhe të fitojë, çka do të ishte suksesi i parë sezonal për të.
Edhe pse 39 vjeç, 9 herë kampioni i botës shprehet se ndihet i ri dhe se dëshira për të konkurruar me më të rinjtë nuk i mungon. “Ndjesia është gjithnjë e njëjtë edhe pse kam fituar shumë në karrierën time. Botërori i moto GP vazhdon të më pëlqejë shumë edhe sikur ta shoh në TV. Ka shumë pilotë që ashtu si unë japin maksimumin për të fituar, pasi garat në përgjithësi janë të hapura deri në momentin e fundit”, thotë Rossi.
“Jam 39 vjeç, por kjo nuk do të thotë asgjë, pasi nëse je i shëndetshëm, stërvitesh mirë dhe ke dëshirë, mosha nuk është disavantazh. Përkundrazi, përvoja kthehet në aleat. Dua të vazhdoj ta praktikoj këtë sport për sa kohë kam dëshirë të dueloj dhe të fitoj”, shton Rossi.
Në fund, piloti italian konfirmon pasionin e tij për garat me makina dhe nuk e mohon se ka dëshirë të provojë fatin në garat me 4 rrota. “Kam një pasion të çmendur për garat e automobilizmit dhe pasi të largohem nga Moto GP do të garoj një vit në garat me 4 rrota. Mendoj se mund ta realizoj këtë gjë, por dua të jem në të njëjtin nivel siç jam në garat e motoçiklizmit”, shprehet Valentino Rossi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here