Nga Bledian Koka

Nuk ka një mundësi të dytë për të dhënë impresionin e parë. Edi Rama ka vendosur të përdorë kartën e radhës për të siguruar që nënshtrimi përfundimtar i shqiptarëve të jetë i pashmangshëm, që shpresa e tyre venitur të varet vetëm në një çengel, që drita e rrejshme në fund të tunelit ku çapiten shqiptarët të jetë vetëm një, ajo e shkëlqimit të ngërdheshjes së dhëmbëve të tij prej ujkut nën lëkurën e të mëshirshmit dhe mëshirëbërësit.

Një natë më parë, shfaqja e Edi Ramës në emisionin-mision humanitar ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ krijoi një pështjellim të madh tek opinion publik duke shtruar disa pyetje me vetëm një përgjigje brenda. Ç’punë ka Edi Rama në një emision-mision bamirësie?!…

Sot e gjithë ditën, emisioni-mision ‘Shqiptarët për Shqiptarët’, pos mesazhve të forta, ndihmës së çmuar, lehtësimit të dhimbjes për të pamundurit, është po aq edhe një emisionet denoncuese de-fakto të mjerimit që ka kapluar vendin. Emisioni me audiencën më të lartë në ekranet televizive dhe rrjetet sociale, është padiskutim sot një nga aksionet më të ndershme humanitare që tregon se ku ka derexhuar nevoja jetike e popullit shqiptar (aspak si qëllim në vetvete). Kam folur me organizatorët e emisionit dhe më kanë rrëfyer një fakt që të bën të kuptosh se ku ka arritur dëshpërimi.

Sipas këtij rrëfimi rrënqethës mësova se ndërsa 5 vite më parë, “FIRDEUS” e kishte të vështirë të bindte qytetarët në nevojë që të pozonin për një foto me qëllim që nevoja e tyre të sensibilizohej dhe të mblidheshin fonde për ti asistuar, sot panorama është krejt e kundërta. Të pamundurit në dëshpërim luten që të dalin me zë e më figurë, me fëmijë e me katandi para ekranit, boll që dikush të mendojë e të vendosë dorën në zemër për ta.

Boll që dikush të nxjerr mirësinë nga zemra që nuk rresht së buruari ndër shqiptarë dhe të ngrohë sadopak shpirtin e rrëgjuar të kësaj kategorie. Kategori e cila çdo ditë e më shumë nuk është më përjashtimi, por rregulli.

Po, po rregulli sesi është gjendja e shoqërisë shqiptare. Të jesh i varfër nuk është më një lajm, të quhesh shtresë e mesme quhet përjashtim. Të vdesësh për bukë, nuk është më çudi, e habitshme është sesi arrin akoma ta sigurosh një kothere. Deri këtu ka zbritur mjerimi, deri për këtë pikë ka njerëz që luten sot në vitin 2018, dhe ky fatkeqësisht sot nuk është më një lajm.

Për të gjitha këto që thamë lart, emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” duhet të kishte një armik të përbetuar, që në pasqyrën e emisionit-misionin pak po e sigurtë sheh shëmbëlltyrën e qeverimit të tij. Jo se ai nuk e di, por logjikisht nuk do të donte të vështronte. Por, Edi Rama po rezulton çdo ditë më shumë çdo gjë përveçse një infantil politik.

“Nëse nuk e lufton dot, atëherë ktheje në aleat”- do të ketë menduar Edi Rama dhe kështu ai ia behu një natë më parë mu aty, në mes të “Shqiptarëve për Shqiptarët” si i bukuri shejtan, i ngrysur e i përmalluar për një popull që po vuan, e që rastësisht këto 5 vitet e fundit po i qeveris ai. Do të mjaftonte kaq logjikë, që drejtuesit e emisionit të mos ta kishin ftuar shkaktarin e suksesit të padëshirurar të emisionit-mision të tyre.

Ose të paktën ta kishin refuzuar dëshirën e fëlliqur Edi Ramës për t’iu shfaqur shqiptarëve jo vetëm si sundimtar, por edhe si shpëtimtar. Unë nuk kam ndërmend të kritikoj, miqtë e mi të Fondacionit FIRDEUS, për një faj që ata nuk e kanë, por as nuk mirëkuptoj për gabimin që s’duhet ta kishin bërë.

Si mik i tyre po u them që nuk pajtohem me ta vetëm për një shkak. Parashtrimi i mësipërm që i bëra rastit në fjalë është edhe arsye pse më shtyn ta bëj këtë shkrim. Thënë kjo, kur një shtresë shëndrrohet në shumicën e shoqërisë ja mu aty shfaqet ai, “mëshiruesi dhe mëshirbërësi” Edi Rama. Kjo ka ndodhur edhe mbrëmë.

Dikush mund edhe të thotë se “njerëzit po vdesin për bukë dhe ti merresh me politikë”. Le ta bëjnë! Në logjikën time personale, derexheja ku mbërritur një shtresë jo e vogël shoqërisë shqiptare në mos e gjitha, ka vetëm një fajtor. Shfaqja e tij e mbrëmshme ishte po aq të neveritshme sikur ai të dilte para banorëve të ASTIR-it të cilëve do tu shembë shtëpitë e tu fliste për mbylljen e lojërave online dhe ti premtonte se së shpejti do tu ndërtonte nga një banesë të re.

I njëjti sundimtar që si maskarenjtë e singjashëm tenton të gjejë gjithmonë një strehë për të fshehur kokën në ditët e tyre të fundit, mbrëmë Edi Rama përdori bamirësinë si të tillë.