Një histori tronditëse publikohet në emisionin “Stop”. Gazetarët e programit kanë marrë rrëfimin e një nëne, e cila u përball me kërkesën e gjyqtarit për raport seksual dhe para, vetëm për të siguruar kujdestarinë e fëmijës së saj.

Në kamerën e fshehtë përfshihen disa gjyqtarë dhe psikologia Elona Meçani, që bën edhe rolin e sekseres. Gruaja, denoncuese tregon gjithë kalvarin që i është dashur të përballojë, duke blerë me euro fëmijën e saj.

Gjyqtari i Fierit Roland Hysi i kërkon seks për t’i dhënë kujdestarinë e fëmijës. Po kështu zonja i jep psikologes 500 euro për Hysin, duke i premtuar edhe 500 euro të tjera në mbyllje të gjyqit.

“Unë kam qenë e martuar, për arsyet tona personale jemi divorcuar në vitin 2012 dhe Gjykata e Rrethit të Fierit ka vendosur që kujdestarinë e vajzës ta ma lërë mua. Për arsyet e mia personale dhe ekonomike, unë jam larguar në Francë dhe vajzën e kam lënë tek prindërit e mi. Në vitin 2018 ish-bashkëshorti im më ka hedhur në gjyq për të më hequr kujdestarinë e vajzës. Avokatja ime ka marrë pjesë në seancën e parë të gjyqit dhe në seancën e dytë kam ardhur unë. Ka qenë data 17 Korrik e gjyqit, gjyqtar ka qenë zoti Roland Hysi. Ka mbaruar seanca e gjyqit, atë ditë është marrë edhe vendimi i vajzës, e cila ka folur me vullnetin e saj të lirë, e pandikuar as nga babai i vet as nga unë dhe vendosi që të rrijë me mua”, tha denoncuesja.