Në kuadrin e 70-vjetorit të teatrit “Migjeni”

-Sipas rrëfimeve të aktorit FejziSpahia, pasqyruar në disa faqe të ditarit të tij-

Fletë nga ditari

Viti 1960

Viti 1960 ishte viti i njëmbëdhjetë i themelimit të teatrit profesionist “Migjeni”. Gjatë këtij harku kohor, përveç dramave kombëtare, ishin vënë në skenë vepra edhe nga dramaturgjia botërore. Këta artistë luanin me shumë sukses drama dhe komedi që luheshin edhe në skenat botërore. Ishin vënë në skenë dhe ishin në repertor vepra të Molierit, Goldonit, Çehovit, Ostrovskit, Gorkit, Vishnjevskit, Ibsenit etj., dhe të autorëve shqiptarë, si: KolëJakova, XhemalBroja, AndreaSkanjeti, NdrekLuca, Besim Levonja, Ton Shoshi, Jonuz Dini, etj.

Në këto vite trupa e teatrit u drejtua me shumë profesionalizëm nga dy regjisorë të talentuar që me përkushtim e përgjegjësi përballuan talentet e aktorëve dhe kërkesat e artdashësve shkodranë e më tej. Këta ishin AndreaSkanjeti dhe LecShllaku.

Në janar të vitit 1960, sipas një marrëveshjeje me Ministrinë e Arsimit e Kulturës, në teatrin “Migjeni” do të vinte për të vënë në skenë një pjesë një regjisor sovjetik. Ai quhej VladimirBortiko, i cili në teatrin kombëtar në Tiranë po vinte në skenë “Hamletin” e Shekspirit. Në Shkodër ai filloi punën për të vënë në skenë “Tragjedinë optimiste” të V. V. Vishnjevskit, autor sovjektik. Fryma heroike dhe tragjike e dramës gërshetohej me ndjenjat poetike e romantike. Ngjarja zhvillohej në një anije. Qe një eksperiencë e re për teatrin, pasi përveç aktorëve, merrnin pjesë edhe afro 100 amatorë dhe orkestra simfonike e shtëpisë së kulturës dhe krijimtarisë popullore të Shkodrës e drejtuar nga mjeshtri i madh, PrenkJakova.

Për këtë arsye muaji janar qe shumë i ngarkuar me prova, të cilat, pothuajse të gjitha bëheshin në skenë, duke anashkaluar punën në tryezë, praktikë kjo e këtij regjisori.

Në muajin shkurt, paralelisht me pjesën që vihej në skenë, u punua për zëvendësimin e disa roleve në dramën “7 Shaljanët”. Gjatë këtij muaji u shfaqën: “Votra e huaj” – 2 herë, “Toka jonë” – 2 herë, “Fejesë e ngatrresë” – komedi, – 2 herë, “Shërbëtori i dy zotërinjve” – 2 herë, pra gjithsejt krahas punës intensive me premierën e “Tragjedisë optimiste”, u dhanë vetëm nga trupa e teatrit 8 shfaqje.

Mars – rikthehet në skenë drama “7 shaljanët”, e cila u shfaq dy herë; po ashtu, u shfaq tri herë “Shërbëtori i dy zotërinjve”, “Votra e huaj” – 2 herë, “Toka jonë” – 1 herë, “Trumbetjerja” – 3 herë, “Fejesë e ngatrresë” – 2 herë, “Banorët e shkallës Nr. 6 – 1 herë, pra gjithsejt u dhanë 14 shfaqje.

Ajo që të bënte të ndjeheshe mirë ishte atmosfera e punës dhe e marrëdhënieve në mes të artistëve. Vlen për t’u theksuar gatishmëria e aktorëve më me përvojë për të ndihmuar më të rinjtë në zëvendësimin e roleve të pjesëve që ishin në repertor, si dhe në punën për pjesën që po vihej në skenë.

Prill – Maj: Në ditët që regjisori VladimirBortiko shkonte në Tiranë për “Hamletin”, në teatrin tonë për pjesën që po vihej në skenë, me fragmente të saj punonte regjisori AndreaSkanjeti, i cili ishte asistent i regjisorit sovjektik në këtë pjesë.Paralel me pjesën, një angazhim i madh ishte dhe puna në vazhdim për dublimin e roleve të pjesëve që risilleshin në repertor. Kështu që u punua për pjesën “Kunora e Nurijes” të KolëJakovës, për komedinë “Shërbëtori i dy zotërinjve” dhe, në të njëjtën kohë u punua dhe për repertorin e një shfaqjeje që do të jepej në fshat. Vlen për t’u theksuar se krahas planit për shfaqjet në qytet, duhej realizuar edhe ai i shfaqjeve në fshat.

Më 30 prill u dha premiera e “Tragjedisë optimiste”. Kjo shfaqje u dha 12 netë rresht. Pati shumë sukses. Çdo natë salla e teatrit ishte plot me spektatorë. Kënaqësi e madhe për trupën, e cila ishte shumë e preokupuar dhe e mobilizuar. Skenat masive ishin shumë interesante, skenografia e veçantë dhe shumë e bukur, të fuste në atmosferën e ngjarjeve që zhvilloheshin, ekzekutimi direkt i orkestrës sinfonike, çdo natë krijonte një atmosferë mahnitëse, por mbi të gjitha shkëlqente loja e aktorëve, ndaj dhe bënte që shfaqja të ndiqej me shumë interes. Regjisori sovjetik mbeti shumë i kënaqur nga profesionalizmi i aktorëve shkodranë, që realizuan me sukses e krijimtari kërkesat e tij. Është për t’u theksuar se në tërë këtë punë shpeshherë krijoheshin edhe vështirësi në komunikimin me regjisorin, për shkak se ndërsa ai fliste rusisht, përkthyesi e kthente në shqip. Në një rast, përkthyesi në vend që të thoshte “kthehuni nga e majta”, tha “kthehuni nga e djathta”, dhe regjisori kur pa se masa e madhe e marinarëve po kthehej në të kundërtën e asaj që kishte thënë ai, u revoltua dhe i ra çimentos me shkop (ai mbante shkop, sepse njërën këmbë e kishte prej druri, pasi ishte invalid i Luftës së II-të Botërore) dhe u kthye nga përkthyesi duke bërtitur rusisht: “Na ljevacard po beri” (nga e majta, dreqi ju hëngërt.) Dikush qeshi, dikush u zemërua, por u kapërcye edhe kjo situatë, pasi regjisori sovjektik shpesh bëhej nervoz nga keqkuptimet në përkthim.

Pas një pushimi të shkurtër pas shfaqjeve të “Tragjedisë optimiste”, gjysma e trupës që përbëhej nga të rinjtë filloi shfaqjet në fshat, në programin e të cilave kishte skeçe, intermexo, recitime dhe këngë.Gjatë këtyre dy muajve, përveç premierës, u dhanë edhe këto pjesë: “Trumbetjerja”, “Toka jonë”, “Kunora e Nurijes”, “Fejesë e ngatrresë”, “Dy binjakët”, “Shërbëtori i dy zotërinjve”. Në total 12 shfaqje nga repertori ekzistues dhe 15 shfaqje për fshatin e shkollat, gjithsejt 39 shfaqje.

Qershor – Filloi puna për vënien në skenë të pjesës “Biri i penduar”. Krahas kësaj, në këtë muaj u dhanë këto shfaqje: “Shtërngata”, “Trumbetjerja”, “Tragjedia optimiste”, “Votra e huaj”, gjithsejt 7 shfaqje.

Në fund të muajit u lexua platforma e komedisë “Maska dhe njerëz” e Jonuz Dinit, u ndanë edhe rolet dhe puna për vënien në skenë do të fillonte në sezonin e ri.

Korrik – Një muaj shumë i ngjeshur, me shumë ngarkesë, por shumë i bukur për të papriturat e tij, në një turne në zonën malore të Kelmendit, nëpërmjet lodhjes dhe vështirësive të mëdha, portë një kënaqësie dhe bukurie të mahnitshme. Pasi bëmë përgatitjet e nevojshme me repertorin që kishim dhe pjesë të tjera, u formulua shfaqja për këtë turne.

Më 6 korrik filloi turneu në zonën e thellë të Kelmendit. Trupa përbëhej si zakonisht nga më të rinjtë dhe të tjerë. Nisja nga teatri bëhet me autobus, Shkodër – Fushë Zezë. Zakonisht në çantat tona të udhëtimit krijonim njësoj rezerve ushqimore, sidomos kur turneu parashikohej për disa ditë pa kthim.

Zbritëm nga autobuzi në Fushë Zezë, për të mos e parë për 21 ditë. Këtu na prisnin një grup fshatarësh me mushka. Ngarkuam plaçkat personale dhe të shfaqjes dhe morëm rrugën për në Brojë. Kafshët përpara, ne nga mbrapa. As nuk e dinim se ku binte ky fshat e se ç’rrugë e gjatë na priste e ç’kushte kishte udhëtimi. Një gjë dinim, humori dhe kënga ishin në dorën tonë dhe ato vazhduan në të gjithë turneun.

Fshati Brojë, që ishte edhe stacioni ynë i parë, gjëndej në lartësinë 1400 – 1800 m mbi nivelin e detit. Qe një fshat shumë i bukur, me një pamje mahnitëse, tërësisht zonë malore.Pas pesë orë udhëtimi, arritëm. Pasi pushuam mirë, filluam punën për të ngritur skenën portative. Pamë se si filluan të grumbulloheshin fshatarët, të cilët ishin lajmëruar se do të vinte një grup për shfaqje.E filluam shfaqjen, që për fshatra kaq të thella, ishin tepër të rralla. Pas çdo numri apo kënge s’pushonin duartrokitjet, por ajo më e bukura dhe e papritura për ne qe se kur mbaroi shfaqja, fshatarët nuk largoheshin dhe na u desht të improvizonim një koncert me këngë, ku këndonim së bashku me malësorët, duke u shoqëruar nga orkestra që përbëhej nga dy instrumenta – fizarmonikë dhe kitarë.Një pasdreke e paharruar, ku përveç kënaqësisë dypalëshe, ne na largoi plotësisht lodhjen.Në darkë, siç ishte tradita, u shpërndamë nëpër shtëpia, në grupe nga 2 – 3 veta.Të gjithë kaluam një natë shumë të bukur, me një pritje të përzemërt, çka ishte sinjali i parë për mikpritjen e vazhdimin e turneut tonë në tërë zonën e Vermoshit.

9 korrik – Nga Broja zbresim në Tamare, gjithnjë në këmbë, të shoqëruar nga fshatarët e Brojës me kafshët e tyre. Në Tamare kishin ardhur një grup tjetër malësorësh, të cilët do të na shoqëronin deri në bjeshkët e Jeshnicës. Pasi kaluam Selcën, filluam ngjitjen në Javor. Askush që s’e ka bërë këtë udhëtim nuk mund ta imagjinojë se ç’rrugë e vështirë ishte, një e përpjetë që nuk mbaronte kurrë. Ne jo vetëm s’e dinim, por as që e mendonim se ç’rrugë ishte kjo! Ecnim duke qeshur, duke përdorur edhe batuta nga shfaqjet tona që i përshtateshin kësaj atmosfere, duke kënduar deri në një shenjë rruge ku s’ishim të zot as të flisnim me njëri-tjetrin nga lodhja. Ecnim të heshtur, dëgjoheshin vetëm trokat e mushkave dhe fshatarët që u thërrisnin atyre “Hajt, ec he t’u paftë hajri!”.Pas 15 orë udhëtimi, arritëm në bjeshkët e Jeshnicës. Para nesh edhe këtu u shfaq një bukuri e rrallë e mahnitëse, të cilën nuk ishim në gjendje ta shijonim pas asaj lodhjeje rraskapitëse. U ulëm dhe u shtrimë në një lëndinë, secili sipas qejfit të tij. Ndonjëri filloi edhe të dremisë. Pasi e morëm veten, u çuam dhe secili gërmoi në çantën e vet, pasi në këtë moment nuk bëhej fjalë që dikush të na ofronte diçka, pasi fshatarët ishin të shpërdarë me bagëtitë në kullota.

Filluam të ngremë çadrat dhe të sistemoheshim. Ndërkohë filluan të dëgjoheshin tingëllimat e kumbonëve, që tregonin se bagëtitë po ktheheshin në stane.Organizimin e çadrave dhe sistemimin tonë e bënte në mënyrë të përsosur aktori më i vjetër, LecNdreka, të cilin në shenjë respekti, edhe pse vërtetë e meritonte, e thërrisnim “Bacë”. Filloi të gjallërohej lëndina ku ishim sistemuar, na rrethuan fshatarët që e kuptuan se ne kishim ardhur për shfaqje. Në këtë kohë ne s’kishim se çfarë të bënim tjetër, por morëm veglat muzikore dhe filluam të këndojmë së bashku me fshatarët, duke u krijuar kështu një atmosferë shumë e ngrohtë.Si filloi të erret, pamë se drejt çadrave tona po vinin disa çobanesha, të cilat mbanin në duar tasa me qumësht dhe copa djathi, atij djathi të Kelmendit, me namë në të gjithë zonën e Shkodrës. Natën e kaluam në çadrat tona në një qetësi e freski përrallore.

10 Korrik – Pasi hëngrëm mëngjesin u përgatitëm dhe dhamë shfaqjen. U grumbulluan të gjithë fshatarët, u kënaqën duke qeshur me materialet dhe lojën e aktorëve, duke na shoqëruar me duartrokitje të vazhdueshme e ndonjë herë edhe duke thirrur “Ju lumtë goja se na kënaqët!”.

Ngarkuam plaçkat dhe u bëmë gati për në Vermosh. Fshatarët na përcollën duke na falenderuar e uruar rrugë të mbarë e që të mos i harronim. Ajo që qe e papritur për ne ishte përshëndetja me një breshëri armësh, duke i shkrepur në ajër, si një traditë e hershme e zonës kur përshëndet miqtë.Tani, në rrugën që po merrnim, për një gjë ishim të sigurt që të përpjetë nuk do të kishim më, por rrugë të drejtë dhe teposhtë përmidis bjeshkës.Rruga nëpër të cilën po kalonim kishte një bukuri të rrallë natyrore. Bjeshka – plot lule natyrale nga të gjitha llojet e luleve të buta që ka Shkodra, pornë kushte bjeshke, dëgjoheshin tingëllimat e kumonëve të bagëtive që ishin duke kullotur e blegërimat e tyre, të cilat, në harmoni, krijonin akorde shumë të bukura në minore, mahnitëse ishte kënga e bilbilave, të cilët sikur donin të na thonin se edhe ne dijmë të këndojmë!

Në të ngrysur arritëm në Vermosh. U takuan dy qënie të lodhura, por që dallonte më shumë ishte ajo e bagëtive që ktheheshin nga kullota. Këtu edhe kumonët na dukeshin se kishin një tingëllimë të ndryshme nga ato të Jeshnicës, pasi bagëtitë atje, duke dalë në kullota vraponin dhe kumonët kishin një ritëm e tingull tjetër.Vermoshi, kjo perlë e bjeshkës, ky fshat përrallor me një luginë të gjatë ku kalon lumi i Cemit dhe me dy kurora malesh, është plot gjelbërim. Ky fshat me njerëzit fisnikë, mikpritës, ka kulturë jetese të një niveli të tillë për ta pasur zili kushdo!

U ndamë nëpër shtëpitë e malësorëve, tek të cilat kushdo e ndjente veten ngushtë nga mikpritja, fisnikëria e burrave dhe e grave të bukura, nga higjiena dhe pastërtia. Shtëpi të pastra, dhoma prej druri të punuara me mjeshtri, rroba të pastra që kundërmonin nga aroma e ujit të bjeshkës. Kjo ndjesi të ngjallte respekt për këta njerëz.

Pas ngrënit në një tavolinë të bollshme, të një bisede të ngrohtë dhe tepër miqësore, të zotët e shtëpisë të tregonin dhomën e pushimit dhe rrobat e fjetjes.

Kur shkuam në dhomën e pushimit, ajo që na çuditi ishte se nësa po bëheshim gati të shtriheshim, nusja e shtëpisë që kishte shtruar teshat nuk po largohej nga dhoma deri satë rregulloheshim ne; kur ne ramë për të pushuar ajo rrinte në këmbë me duar të lidhura përpara, pastaj na tha natën e mirë dhe duke ecur me shpinë nga dera, doli jashtë duke na uruar edhe njëherë natën e mirë.

Të nesërmen, në një lëndinë të bukur ishte mbledhur i gjithë fshati, burra, gra e fëmijë. Ajo çka binte në sy ishte veshja kombëtare zonale e nuseve, të cilat ishin rradhitur si një paradë mode, duke u munduar që secila të tregonte vlerat më të bukura personale dhe në kompleks ato të fshatit.Shfaqja u prit shumë mirë, duke na shoqëruar me duartrokitje dhe qeshje.

Pas shfaqjes, morëm rrugën për në Qafën e Bordolecit. Si gjithnjë në karvan, udhëtuam në një rrugë të sheshtë nëpërmjet bukurisë natyrore, të lumit të Cemit, pyllit të pafund dhe këngës së bilbilave.Arritëm në Qafë dhe u stabilizuam në kantierin e punëtorëve të Stabilimentit të Drurit të Shkodrës.Në shfaqjen që dhamë këtu, si spektatorë morën pjesë fshatarët dhe punëtorët e kantierit.U trajtuam në mensën e kantierit dhe kaluam natën në dhomat e punëtorëve.

Me datën 13 na priste një udhëtim tjetër i vështirë i pa parashikuar, natyrisht në një rrugë të panjohur. Pasi ngarkuam plaçkat me kafshët e këtij fshati, u nisëm në këmbë në Vukël. Si kaluam Qafën e Bordolecit dhe pjesën e bukur të lëndinës, morëm të përpjetën malore, e cila, për hir të së vërtetës, çka askush nuk mund ta imagjinojë, ishte më e lehtë se e tatëpjeta! Maja ku arritëm quhej Qafa e Gjarpërit. Sa ju gëzuam që arritëm në maje, filluam të shqetësohemi duke zbritur, pasi rruga deri në fshat nuk kishte fare taban, ishte e gjitha me shtresa gurësh të shkoqitur që dukeshin sikur i kishte hedhur njeri. Kjo bënte të pamundur ecjen normale pa rrëshqitur, bile pse jo edhe secili prej nesh të mos rrëzohej disa herë. Ajo që ishte e bukur dhe që pastaj na shoqëroi në këtë pjesë të rrugës me humor ishte se sapo u rrëzua i pari, ne të gjithë qeshëm duke e quajtur dobësi të tij mos qëndrimin e shokut tonë, por kur e pësuam me radhë secili prej nesh, plasi gazi në mënyrë kolektive, por njëherit mblodhëm veten për ta kaluar këtë rrugë vërtetë duke qeshur, por edhe duke u ruajtur që të mos pësonim ndonjë frakturë.Nuk u mjaftua me kaq, kjo rrugë u shoqërua edhe me vështirësi të tjera. Ndonëse ishte mesi i korrikut, filloi një shi bjeshke, por i vrullshëm, ndonëse veror e bëri punën e vet, duke na hequr “pluhurin” e djersën e trupit.Ashtu si zakonisht, edhe këtë vështirësi e kaluam me humor e batuta, tëcilat na e lehtësonin lodhjen.

Kur arritëm në Vukël na pritën parija e fshatit. Menjëherë na shpërndanë nëpër shtëpitë më të afërta. Në çdo njërën prej tyre ne gjetëm mikpritjen dhe një shërbim shumë të mirë, duke na bërë që të na kalojë lodhja dhe të harronim peripecitë e rrugës. Këtë e bënte të mundur bujaria e këtyre malësorëve që buronte nga shpirti i pastërt i tyre që s’mund të ishte tjetër veçse refleks i natyrës dhe i ajrit të pastërt që i kishte rritur. Ajo që tregonte se ata këtë pritje i kishin të natyrës së tyre ishte edhe që në darkë mblidheshin të gjithë dhe bënin lloj-lloj bisedash, pse jo, donin të dinin më shumë për Shkodrën, për veprimtarinë tonë, etj.

Më 14 korrik, pasi dhamë shfaqjen paraprake, morëm rrugën për në Tamare, të shoqëruar nga fshatarët dhe kafshët e Vuklit. Rruga ishte e sheshtë, nuk ndjemë lodhje gjatë ecjes, pasi edhe koha ishte përmirësuar. Në Tamare, qendra e zonës, nuk dhamë shfaqje. Mbasi hëngrëm drekën, morëm rrugën për në Rrapsh-Stare. Gjatë gjithë udhëtimit në zonën e Kelmendit u shoqëruam me pesë mushka, dy nga të cilat shërbyen për të hipur dy shoqet që ishin në grup, të cilat ndërroheshin herëpashere sipas vështirësive që paraqiste rruga. Në të gjithë këtë udhëtim të bukur, por edhe shumë të vështirë, Klotilda (Shantoja) dhe Roza (Xhuxha) asnjëherë nuk treguan lodhje, pornë harmoni me grupin kapërcyen çdo vështirësi. Tri kafshët e tjera shërbenin për transportin e plaçkave, të cilat administroheshin në mënyrë të shkëlqyer nga Baca (LecNdreka), të cilin e ndihmonim ne të gjithë.

Rruga në këtë ditë pati veçoritë e veta, brenda karakteristikave të zonës. Edhe ne kemi dëgjuar ndonjëherë të përmendet emri “Leqet e Hotit”, edhe nëse kemi kaluar në to me makinë, nuk mund të mendonim se si mund t’u ngjitesh atyre duke udhëtuar në këmbë dhe kur rrugën e zgjedhin mushkat e ti je i detyruar të ecësh në këmbë pas tyre, sepse kjo është zgjedhja më e mirë. Kështu ecëm në këto ditë vere, ku përveç të përpjetës në kufi me qiellin, na shoqëronte dhe vapa e korrikut. Megjithatë edhe këtë rrugë që zgjati shtatë orë e kaluam me humor e pse jo, edhe duke kënduar. Sa më larg ngjiteshim, aq më të bukura bëheshin pamjet. Poshtë shtrihej lumi i Cemit, që ndriste nga rrezet e diellit, malet që lartësoheshin në të gjitha anët.

U shpërndamë nëpër shtëpia, ku kaluam natën, që përmbylli turneun në këtë zonë.

Të nesërmen, pasi dhamë shfaqjen, u bëmë gati për të udhëtuar drejt fshatit Vukpalaj. Si u bëmë gati për të udhëtuar, ndërkohë që po bënim gati plaçkat, erdhën kafshët. Çudia qëndronte në atë se nësa ne po shikonim se ku janë mushkat, u afruan dy kuaj dhe një gomar dhe ne, për ta kapërcyer këtë reng të përkujdesjes, kapëm gomarin, i varëm fizarmonikën në qafë dhe e çuam me dy këmbët përpjetë, duke bërë një fotografi përreth tij. E gjithë rruga për në Vukpalaj, përveç të tjerave që kishim grumbulluar gjatë këtyre ditëve, pata si objekt të humorit gomarin të cilin gjatë gjithë rrugës edhe e falenderuam që të paktën nuk la që t’i bartnim plaçkat në krah. Dhamë shfaqjen dhe u nisëm për të vazhduar rrugën në një zonë të re.

16 korrik – Arritëm në Petroviq. Natën e kaluam në shkollën e fshatit, duke u kallanisur me ushqimet e “strajcës” dhe u mbuluam me rrobat e rekuizitës.

17 korrik – Duke pritur që të mblidhej populli për shfaqje, na u desh të prisnim derisa njerëzit të dilnin nga kisha. Dhamë shfaqjen dhe u nisëm për në Zagorë. Mbërritëm rreth orës 20.00, na kishin pritur dhe menjëherë na shpërndanë ndër shtëpia. Të nesërmen dhamë shfaqjen dhe u nisëm për në Lohe. Ndryshe nga fshatrat e tjerë që kur na zinte nata ndiznim fenerët me vajguri që i kishim marrë me vete, këtu shfaqjen e dhamë nën dritat e autokinemasë. Pas shfaqjes sonë u dha edhe një shfaqje filmi, mbas mbarimit të të cilit kur ora kishte shkuar 24.00, u shpërndamë nëpër shtëpitë e fshatarëve.

Në datat 19 – 20 korrik dhamë shfaqje në Grykë-Lugje dhe në Dedaj. Natën arritëm në Bogë. U strehuam në klasat e shkollës, ku dhe kaluam natën. Blemë ndonjë gjë për të ngrënë në dyqanin e fshatit, ndërsa për shtroje fjetjeje, duke qenë verë, na vinte në ndihmë rekuizita e shfaqjeve.

21 korrik – Paradreke dhamë shfaqjen e fundit në këtë turne sa të vështirë, aq dhe të bukur. Secili kishte se çfarë të kujtonte.

Më në fund erdhi radha për t’u takuar me autobuzin, i cili kishte ardhur nga Shkodra për të na marrë dhe kështu i dhamë fund turneut. Në këtë turne dhamë 14 shfaqje. Pas dy ditëve pushim, u rikthyem në punë.

Nga data 23 – 25 korrik në Shkodër, në teatrin “Migjeni”, kishte ardhur për shfaqje trupa e Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës. Gjatë këtyre ditëve spektatori shkodran ndoqi pesë shfaqje të karakterit klasik shumë të bukura dhe me një cilësi artistike të lartë për të cilat çdo natë salla ishte e mbushur plot me spektatorët artdashës shkodranë.U dhanë: Balet klasik, opera “Kavaleria Rustikana”, koncert vokal, opera “Berberi i Seviljes”.

Në këto ditë trupa e teatrit punoi në studio për përgatitjen e dramës “Kunora e Nurijes”, e cila do të bënte një turne. Me 28 – 29 korrik trupa e teatrit “Migjeni” udhëtoi për në Pukë. Në këtë qytet shfaqja u dha jashtë, pasi salla nuk përmbushte kërkesat e spektatorit. Ajo u prit shumë mirë dhe spektatori që kishte mbushur sheshin e ndoqi me shumë interes duke mbetur i kënaqur.

Ditën e dytë udhëtuam për në Fushë-Arrës, ku dhamë shfaqjen e dytë. Me këtë veprimtari teatri “Migjeni” mbylli sezonin dhe, nga data 01 – 31 gusht kaloi në pushimet vjetore, pasi kjo periudhë quhej jo aktive dhe e pa përshtatshme për shfaqje. Artistët bënin një muaj pushim. Si 7 – mujor u mbyll me 82 shfaqje të realizuara vetëm nga trupa e teatrit.

Së fundi, po e tradhtoj veten me premtimin që bëra në fillim. Këtë shkrim po ia kushtoj aktorit të talentuar, shokut dhe mikut tim, Bep Shiroka, i cili, ndërsa në korrikun e vitit 1960 udhëtonte me ne drejt bjeshkëve të Kelmendit, në korrikun e vitit 2010 u nda prej nesh, duke udhëtuar në botën e përtejme!

FLETË NGA DITARI

Viti 1960

Pas pushimeve tradicionale një-mujore, vjen shtatori si fillim i sezonit të ri, i cili ka risitë e tij si nga shfrytëzimi i repertorit ekzistues, ashtu edhe premierave, të cilat ishin të parashikuara në planet e punës të tri trupave: të teatrit, estradës dhe teatrit të kukullave.

Fillimi i këtij sezoni shënon një ngjarje për trupat e teatrit, po, pse jo, edhe për institucionin. Prezantohet regjisori i ri i trupës së teatrit EsatOktrova, i cili kishte mbaruar studimet në Bashkimin Sovjetik (Rusi). Prezantimi në kolektiv dhe fjala e tij tërhoqën vëmendjen e të gjithë trupës, pasi, në të njëjtën kohë, ai paraqiti përpara trupës së teatrit pjesën me të cilën do të fillonte punën, por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte procedura se si do ta prezantonte pjesën dhe metoda e punës që do të aplikonte. Pjesa titullohej “Histori Irkutase”, një pjesë e dramaturgut të njohur ArturArbuzov.

Regjisori i ri krahas punës për vënien në skenë të premierës, e cila do të ishte njëkohësisht dhe mbrojtje e diplomës së tij (e cila për shkak të prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik nuk u arrit të realizohej në atë linjë), shpalosi edhe një program të punës profesionale që do të bënte me aktorët, sidomos me grupin e të rinjve. Kjo punë filloi menjëherë, ku përfshihej mjeshtria e aktorit, të folmet e lëvizjet skenike, skermë, etj. Kjo metodë dhe frymë pune ngjalli shumë interes dhe vuri në lëvizje me shumë dashuri aktorët, të cilët mezi prisnin kur vinin këto orë.

Përsa kohë po përgatitej puna për premierën, trupa filloi me zëvendsime të disa roleve të shfaqjeve në repertor, pasi duhej realizuar plani i shfaqjeve të muajit. Kështu, në këtë muaj, nga dy trupat kryesore, u dhanë 15 shfaqje: *Koncerti tradicional në festën e Reçit – 1, *Komedia “Fejesë e ngatrresë” – 1, *”Votra e huaj” – 2, *”Shërbëtori i dy zotërinjve” – 1, *”Toka jonë” – 1, *”Trumbetjerja” – 1, *”Dy binjakë venecianë” – 1, *”Kunora e Nurijes” – 2, *Shfaqje estrade – 5.

Në këtë muaj, që zakonisht festohej Muaji i Miqësisë me BS, në skenën e teatrit tonë dha një koncert shumë të bukur ansambli artistik i Moldavisë.

Ajo çfarë karakterizonte jetën në këtë institucion, është fryma e punës, preokupacioni sa për përgatitjen e premierave, ashtu dhe për shfaqjet, të cilat ishin të planifikuara si për spektatorin e qytetit në sallë, ashtu dhe për ata në fshat. Në këtë muaj u dha premiera e pjesës “Djali plangprishës”, e cila kishte qenë në proces pune dhe pati shumë sukses.

S’kishin së rreshturi punët për vënien në skenë të premiera të tjera. Dhe ja, më 25 të këtij muaji, regjisori dhe autori i veprës, AndreaSkanjeti, pasi ishte miratuar në këshillin artistik, paraqiti përpara trupës së teatrit platformën e dramës “Nora”. Ajo që ngjalli kureshtje qe besimi i roleve kryesore dy aktorëve të rinj, por shumë të talentuar: Nora iu besua Roza Xhuxhës dhe Veli – Bep Shirokës, të ardhur nga lëvizja amatore. Dy aktorët e rinj që po merrnin përgjegjësinë e dy roleve kryesore, në këtë turne kishin kaluar të gjitha shtigjet ku kishin lindur heronjtë e dramës, ku ishin rritur dhe ku ishin formuar si figura historike, të cilat autori i kishte paraqitur në dramë e tashti u takonte aktorëve të mishëronin këto figura në skenë.

Në vazhdim të punës profesionale që po bënte regjisori i ri, ne po ndjenim se po hynim të përgatitur në kërkesat që do të kishte drama e re, sidomos në ushtrimet e dueleve me shpata, çka na jepte një kënaqësi të madhe dhe e bënim me shumë pasion.

Gjatë muajit tetor u dhanë 21 shfaqje. Trupa e teatrit dha 16 shfaqje: *”Djali plangprishës” – 3, *”Kunora e Nurijes” – 2, *”Shtërngata” – 1, *”Votra e huaj” – 1, *”Trumbetjerja” – 1, Fshat – 8.

Në këtë muaj, grupi i aktorëve të rinj lëvizi për disa ditë drejt fshatit, duke realizuar atë plan shfaqjesh. Zakonisht këto shfaqje ndërtoheshin me skeçe, intermexo, recitime e këngë. Shfaqjet e tjera ishin të trupës së estradës. Në skenën e teatrit u dhanë edhe tre koncerte nga grupe të huaja; së pari dha koncert shumë të bukur nga një ansambël artistik kinez. Një shfaqje ishte edhe ajo e një ansambli gjerman, të cilit i ishin bashkuar edhe një grup i artistëve të estradës së shtetit dhe, grupi i tretë, ishte ai i artistëve të operas polake, dhe ai i mbështetur nga artistët e operas shqiptare.

Shfaqjet e tjera ishin pjesë e aktivitetit të estradës, e cila ishte një trupë shumë aktive, me artistë mjaft të talentuar, vlerat e saj realizoheshin jo vetëm në skenën e teatrit, por edhe në fshat dhe shumë aktivitete të tjera në qytet. Edhe muaji nëntor është shumë i ngjeshur me të dyja trupat për aktivitete për të dyja trupat kryesore. Në studio punohej me dramën “Nora”, e cila ishte një punë intensive, pasi kishte edhe dublime rolesh. Ndërkohë, me regjisorin e ri, vazhdonin ushtrimet profesionale, një pjesë e të cilave ishin në funksion të premierës.

Gjatë këtij muaji u dhanë 19 shfaqje, 14 nga trupa e teatrit dhe estradës, 2 nga trupat e huaja dhe 3 koncerte nga shtëpia e kulturës. Një ngjarje për t’u shënuar dhe që do të mbetet në histori në jetën kulturore të qytetit ishte dhënia e koncertit të parë simfonik i orkestrës të shtëpisë së kulturës, i cili u dha në skenën e teatrit “Migjeni” më 23 nëntor, nën drejtimin e Mjeshtrit të Madh, Lauratit të Çmimit të Republikës, PrenkJakova.

Ky muaj u karakterizua nga puna intensive e regjisorit AndreaSkanjeti dhe trupa e teatrit për realizimn e dramës “Nora”. Për hir të së vërtetës, regjisori Andrea kishte një kontribut të madh në teatrin “Migjeni”.

Dita e shumëpritur erdhi. Më 28.12.1960 u dha premiera e “Norës” së Kelmendit (sepse kështu quhej shpesh), shfaqja pati shumë sukses dhe zuri për shumë vite në repertorin e teatrit. Krahas aktorëve me eksperiencë, ajo që ra në sy dhe la shumë mbresa, pse jo edhe shumë kënaqësi tek spektatorët, qe loja e shkëlqyer e dy aktorëve më të rinj, Roza Xhuxhës, vajzës më të re (të vogël) në trupë në rolin e Norës dhe Bep Shirokës, në rolin e Vel Sokolit. Shfaqja hyri në repertor për të qëndruar në skenë për një kohë të gjatë e që u prit shumë mirë nga spektatori, kudo ku u shfaq.

Gjatë këtij muaji, edhe pse pati një ngarkesë të madhe, nga trupa e teatrit u shfaqën: ”Votra e huaj”, “Kunora e Nurijes”, “Djali planprishës”, “7 shaljanët”, “Nora”. Gjithsejt nga trupa e teatrit u dhanë 9 shfaqje. Trupa e teatrit, gjithashtu, u angazhua në katër evenimente të rëndësishme. Në një aktivitet të veantë, në teatër u organizua ceremonia e 50 –vjetorit të lindjes së aktorit të madh të skenës së teatrit, ZefJubani (pas vdekjes), roli dhe veprimtaria e të cilit në trupën e teatrit “Migjeni” zinte një vend nderi shumë të rëndësishëm. Fjala e rastit për jetën dhe veprimtarinë e tij skenike e mbajti aktori HasanSmaja. Në këtë mbrëmje përkujtimore morën pjesë dhe autoritetet kryesore të qytetit.

Në këtë muaj u zhvilluan festimet për Karnavalet e Shkodrës, një manifestim tashmë tradicional për qytetin tonë. Në këtë aktivitet, që u zhvillua më datën 18.12.1960, nga ora 13.30 deri në orët e vona të mbrëmjes, angazhoheshin të dy trupat profesioniste. Interesant ishte se gati gjatë gjithë kohës ra shi, por veprimtaria s’u ndal dhe as populli s’largohej. Karvani kaloi pothuajse në të gjithë qytetin: Parrucë, Kiras, Dërgut, Perash, Arra e Madhe, Skenderbeg, Rus, Dugajët e Reja për të përfunduar në sheshin kryesor të qytetit ku finalizohej aktiviteti. Niveli interpretativë i aktorëve, këngëtarëve e instrumentistëve nuk i linte gjë mangut atij të skenës, ndaj dhe populli i Shkodrës e ndoqi me shumë interes, madje kishte grupe qytetarësh që e shoqëronin karvanin nga lagjja në lagje. I treti eveniment për trupën e teatrit dhe për qytetin ishte premiera e “Norës”, e cila u prit shumë mirë nga spektatori. Dhe së fundi, në vazhdën e intensitetit me të cilin punonin trupat artistike, ishte fillimi i punës, me premierën që tani shënonte fillimin zyrtar të aktivitetit, në drejtimin e trupës së teatrit të regjisorit të ri EsatOktrova. Më 30.12.1960 ai shtroi para trupës së teatrit dhe prapavijës platformën dhe ndarjen e roleve të dramës së re:Histori Irkutase”, ku parashtrohej në mënyrë të detajuar dhe me kërkesa të larta profesionale, plani i punës.

Kështu u mbyll ky vit në trupën e teatrit dhe që, për hir të vërtetës, u karakterizua nga një angazhim shumë serioz me shumë mund, përkushtim e profesionalizëm, por që u shpërblye me suksesin e arritur tek spektatori artëdashës shkodran, që do natë mbushte sallën dhe na përshëndeste me duartrokitje të vazhdueshme. Është për t’u admiruar puna e shkëlqyer dhe përkushtimi i aktorëve të trupës së teatrit “Migjeni”, kur lexon se ky vit u mbyll me realizimin e deritanishëm të shfaqjeve të repertorit ekzistues: *”Kunora e Nurijes” – 47, *”7 shaljanët” – 48, *”Shtërngata” – 42, *”Tragjedia optimiste” – 40, *”Toka jonë” – 43.

FLETË NGA DITARI

VITI 1961

Në ditët e para të shtatorit, pra, fillimi i sezonit të ri, regjisori i ri EsatOktrova paraqiti platformën e pjesës “Histori irkutase”. Për hir të se vërtetës duhet thënë që jo vetëm la mbresa, por e vuri shumë para përgjegjësisë trupën për kërkesat profesionale që parashtronte, por, në të njëjtën kohë, e entuziazmoi shumë atë për këtë kulturë të re profesionale dhe që ajo ishte e gatshme dhe e aftë për ta realizuar. Në këto rrethana dhe atmosferë filloi sot puna për premierën e “Historisë irkutase”, por njëherit dhe të ditës së parë të regjisorit të ri.

28 janari – një ngjarje e dhimbshme për qytetin: ndahet nga jeta profesori dhe piktori i nderuar i qytetit tonë, Simon Rrota. Nga qyteti i Shkodrës dhe nga Ministria iu bënë nderimet e merituara. Nga ana e teatrit, së bashku me aktorin Bep Shiroka, ishim ngarkuar për vendosjen e kurorës në emër të institucionit.

15 shkurt – qytetii Shkodrës u ballafaqua me një ngjarje të jashtëzakonshme të natyrës. Në orën 08.30 u shfaq eklipsi i diellit, për pak kohë u bë natë, filloi një freski si në mbrëmje dhe ajo më e bukura qe, se filluan të këndojnë edhe gjelat, ndërsa pulat vraponin drejt kotecave. Ky eveniment zgjati 7 minuta. Ishte një gjë shumë e bukur!

Në këtë pasdreke u bë lidhja në tavolinë e krejt pjesës “Histori irkutase”. Kjo fazë pune vlerësohej si nga regjisori, trupa artistike, drejtoria e këshilli artistik, por sipas rasteve asistonin edhe drejtues kryesorë të rrethit që mbulonin sektorin e artit. Në këtë provë asistoi Enver Halili, i cili asokohe ishte kuadri kryesor në komitetin ekzekutiv të rrethit që mbulonte kulturën. Pas provës dolëm me regjisor Esatin, duke i garantuar se shfaqja do të pritej shumë mirë dhe me siguri që do të kishte shumë sukses.

Në dramën në proces “Histori irkutase” dallohej puna me shumë preokupacion dhe vullnet i të gjithë trupës, por në mënyrë të vecantë i dy aktorëve të shkëlqyer: TinkaKurti e Lec Bushati, në rolet kryesore. Pasi mbaronte puna me regjisorin, këta dy aktorë i shikoje në skenë duke lëvizur, duke dialoguar e bërë monologje për të arritur me çdo kusht kërkesat profesionale që kërkonte roli, pjesa dhe regjisori. Kjo përvojë e vullnet shërbenin si shembull për aktorët e tjerë, e sidomos për më të rinjtë.

Dhe ja, sonte më 04.04., ora 18.00, u bë prova e përgjithshme e dramës “Histori irkutase”. Si zakonisht, në provë ftoheshin miq të teatrit, por asistonte edhe udhëheqja e rrethit. Sonte, në këtë provë, asistoi Sul Baholli, sekretar i parë i komitetit të partisë të rrethit, Enver Halili, etj. Shfaqja shkoi shumë mirë dhe regjisori e trupa u përgëzuan.

Dhe ja, në orën 19.00 u hap sipari dhe filloi shfaqja, kontakti i parë me spektatorin e dramës “Histori irkutase”. Qe edhe diçka tjetër e veçantë në këtë shfaqje, pasi kishin ardhur nga Tirana 20 vetë: artistë, studentë të shkollës së artit dramatik, përfaqësues të ministrisë, autoritetet e rrethit; asistoi edhe një regjisore sovjetike. Të gjithë e përgëzuan trupën dhe regjisorin për suksesin e merituar.

Në vitin 1961 trupa artistike, drejtimi dhe prapavija përbëhej: Trupa e teatrit: JovanVujoshi (drejtor), EsatOktrova (regjisor), AndreaSkanjeti (regjisor), Adem Kastrati, Jonuz Dini (aktorë), Antoneta Fishta, Vitore Nino, TinkaKurti, Violeta Sekuj, KlotildëShantoja, Roza Xhuxha (aktore), Prenk Lëkunda, Lec Bushati, PaulinLacaj, Pistol Soja, NdrekëPrela, NdocSheldija, Paulin Preka, Bep Shiroka, FejziSpahia, Rrok Dajçi, AhmetZeqiri (aktorë). Trupa e estradës: Paulin Sekuj (regjisor), Tano Banushi, HasanSmaja, BikPepa, Musa Ademi, Drita Tahiri, Hajrije Sula (aktorë); EsatKola, Ndrekë Gjergji, Florinda Gjergji (solistë), AbdullahSalobegu, MarkKaftalli, MuhametGrimci, Pjerin Ashiku, Zyhdi Barbullushi (instrumentistë), BikNdoja (solist, gardorobjer). Prapavija: ÇeskVuksani (inspektor skene), FehmiGokovi, Maliq Sejdini, Osman Gruda, CufKeltyra (punëtorë skene), MarijeCurani (rekuizitë), Zina Ashta (rrobaqepëse), LecPrendi (marangoz), Kin Shiroka (parukjer), Sabah Prizreni, Teufik Duka (elektricistë), Lec Fishta (skenograf), Palok Kurti (sufler), Zyhra Fresku (punëtore shërbimi).

Fletë nga ditari

Viti 1961, korrik – dhjetor

Muaji shtator…

Më datën 11, me trupën e teatrit u lexua pjesa e re, dramatizimi i romanit “Këneta” të shkrimtarit Fatmir Gjata. Kjo vepër u dramatizua nga regjisori EsatOktrova. Pjesa u ndoq me interes nga trupa dhe u pëlqye. Si zakonisht në këto momente të punës kurioziteti, pse jo dhe interesi mbetej te ndarja e roleve, e cila bëhej pas leximit të platformës. Pas kalimit të kësaj faze filloi puna në tavolinë, duke bërë tani leximin e pjesës, ku secili aktor lexonte rolin e tij.

Data 27 – Në provat në tavolinë në dramën “Këneta” asistoi edhe autori i romanit, Fatmir Gjata, së bashku me shkrimtarin SterjoSpasse. Prova u ndoq me interes dhe, në fund, u bë një bashkëbisedim i ngrohtë duke shkëmbyer mendime të sinqerta, natyrisht në këtë fazë pune.

Më 30 u bë lidhja e pjesës së parë në tavolinë i “Kënetës”. Në fund u shkëmbyen mendime në mes regjisorit dhe aktorëve, duke vënë në dukje realizimin e kërkesave në tërësi dhe, në veçanti, për çdo rol.

Muaji tetor…

Data 13. Sot 50-vjetori i lindjes së Migjenit. Përveç vendosjes së kurorës në varrezat e dëshmorëve, mbasdreke, në orën 18.00, në teatër u zhvillua një konferencë përkujtimore. Fjalën e rastit e mbajti shkrimtari NondaBulka. Në këtë veprimtari u dha edhe një program nga aktorët e teatrit me recitime, ku spikati interpretimi i një pjese nga regjisoriEsatOktrova. Pas aktivitetit, në skenë u shfaq dhe një dokumentar kushtuar Migjenit.

Data 14. Sot në provat që u bënë në skenë me pjesën e parë të “Kënetës”, asistuan sh. Pipi Mitrojorgji, zëvendësministër i arsimit dhe kulturës, autori Fatmir Gjata, NondaBulka dhe autoritete të rrethit. Ndonëse puna është në faza fillestare në skenë, pjesëmarrësit u shprehën të kënaqur.

Data 29. Sot në skenë u bë lidhja e parë e pjesës së parë. Nga mënyra se si reagoi regjisori, u kuptua se provat po ecnin në rrugën e mbarë dhe kështu po realizoheshin kërkesat për figurat në role dhe idenë e shfaqjes.

Muaji nëntor…

Më datën 05.11. arritën në finale. Sonte u bë prova gjenerale, e cila shkoi dhe u prit shumë mirë. Të nesërmen, më 06 nëntor, u dha premiera, e cila po kështu u prit shumë mirë, pasi e gjithë puna dhe përpjekjet e tyre u konkretizuan me sukses. Në shfaqje asistoi autori i veprës, Fatmir Gjata, nga ministria dhe drejtues të rrethit, të cilët shprehën opinionet e tyre pozitive, duke përgëzuar regjisorin dhe trupën. Në fund u bë edhe një fotografi: artistë dhe punonjës të prapavijës, pjesëmarrës në shfaqjen “Këneta”, të cilët ishin: ÇeskVuksani, NdrekëPrela, AhmetZeqiri, Lec Bushati, PaulinLacaj, Lec Fishta, EsatOktrova, FehmiGokovi, KlotildëShantoja, MarkPrendi, TinkaKurti, Bep Shiroka, Vehbi Çanga, Jonuz Dini, Violeta Sekuj, MarijeCurani, Roza Xhuxha, Prek Lëkunda, NdocSheldija, Rrok Dajçi, Pistol Soja, Sabah Prizreni, KolëShtjefni, Rrok Sheldija, Halim Kali, DhimitërBanushi, Teufik Duka, Osman Gruda, FejziSpahia, Paulin Preka, EsatKola, Adem Kastrati, Naum Berati, EshrefDomnori.

Këto ishin disa fletë të shkëputura nga ditari im, i cili më bën të ndjej kënaqësi dhe respekt për trupën e shkëlqyer të këtij teatrit, për aftësitë e saj e pse jo dhe për sakrificat e mëdha të secilit prej kësaj trupe.

Përgatitur nga Xhahid Bushati
Burimi: GazetaDita.al