ë 15 mars në Nyon të Zvicrës do të hidhet shorti i çerekfinaleve dhe gjysmëfinaleve të Champions League.

Këtë vit UEFA vendosi të ndryshojë procedurën e këtij shorti duke u kthyer disi në kohë. Këtë vit do të aplikohet një formulë si ajo e Evropianëve apo Botërorëve.

Sic ndodh zakonisht, në çerekfinale shorti është i lirë kështu që nuk përjashtohen përballjet mes ekipeve të të njëjtit shtet. Risia është se skuadrat që do të mund të kalojnë në gjysmëfinale do ta mësojnë që në shortin e çerekfinaleve skuadrën me të cilën mund të përballen, që do të thotë se në ceremoninë e 15 marsit nuk do të ketë short edhe për gjysmëfinalen.

Herën e fundit që është zbatuar një sistem i tillë në shortin e çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve ka qenë në sezonin 2010/11 kur triumfoi Barcelona që në finalen e Wembley mundi Manchester United.

Në 15 mars do të hidhet një short për finalen që do të luhet ne 1 qershor në Wanda Metropolitano për të përcaktuar skuadrën që do të jetë pritëse. Tashmë janë mësuar emrat e 4 skuadrave të para çerekfinaliste, Ajax, Manchester United, Porto e Tottenham.

Katër çerekfinalistet e tjera do të dalin nga ndeshjet e javës së ardhshme; Juventus-Atletico, Manchester City-Schalke, Barcelona-Lyon dhe Bayern-Liverpool. Ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampioneve do të luhen në 9-10 prill e 16-17 prill, ndërsa ato gjysmëfinale në 30 prill-1 maj e 7-8 maj.

Top Channel