Për të ditën dytë rradhazi në Tiranë, mjekët e QSUT dolën në protestën kundër akteve të dhunës në spitale. Edhe “bluzat e bardha” të Shkodrës i janë bashkuar protestës së sotme, duke mbështetur kauzën dhe kërkesat e doktorëve në kreyqytet.

Ata shprehen se janë në vështirësi dhe akuzojnë qeverinë dhe politikat e ndërmarra për shëndetësinë, që sipas atyre janë të gabuara. Gjithashtu mjekët bëjnë me dije se protesta do të vazhdojë dhe në ditët në vazhdim derisa kërkesat e tyre të plotësohen.

Nga Shkodra u tha: “Personeli shëndetësor kërkon ambient pune të sigurt, të lirë larg bulizmit dhe provokimeve. Ne jemi të kujdesur për pacintët tanë, por dhuna nuk sjell cilësi në shërbim. Dhuna lodh e ndikon tek kujdesi që ne duhet të ushtrojmë. Nëse mjekët e infermierët nuk janë të sigurt edhe pacientët nuk janë të sigurt. Dhuna duhet parandaluar para se të ndodhë, ndryshimi duhet të nisë nga ne. Kjo është një thirrje për veprim, për bashkim. Të flasim nën një zë, politika të dëgjojë.”

Ndërkohë në Tiranë, doktori i njohur Tritan Kalo u shpreh: “ Vaksinë për problemin tonë nuk ka, por vaksina gjendet. Populli ta ketë të qartë që mjekët nuk ua krijojnë problemet, janë politikat ato që duhet të ndryshojnë. Në ‘97 edhe kur shteti u shkërmoq e vetmja që funksiononte ishte mjekësia. Duhet ta konsideroni bluzën e mjekut të shenjtë.”

Kujtojmë që mjekët vendosën të dalin në protesta pas rasteve të dhunës së përsëritur ndajë një dermatologu në Lezhë dhe ndaj një specializanteje në QSUT. /Blitz.al/