Ashtu siç kishte paralajmëruar ditë më parë, opozita ka organizuar protestën e radhës me qëllim rrëzimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

Qytetarët kanë marshuar dy herë rreth Kryeministrisë, hodhën në tokë edhe gardhin metalik, më pas u drejtuan para Parlamentit, ku policia nuk e kurseu gazin lotsjellës dhe ujin drejt qytetarëve.

Ata janë shpërndarë me ujë me presion në pjesën e Pedonales duke bërë që protestuesit të largohen nga sheshi para Kuvendit.

Por gazi lotsjellës i policisë nuk ka kursyer as fëmijët.

Fotot e mëposhtme tregojnë qartazi se mes personave të dëmtuar nga gazi janë dhe fëmijët, që bashkë me prindërit e tyre ndodheshin në protestë.

Por nga gazi ka pasur dëmtime edhe të qytetarëve që kanë bizneset pranë zonës së Kuvendit, apo kanë qenë në lokalet pranë godinës ku zhvillohen seancat parlamentare.

Pak minuta më parë qytetarët pjesëmarrës në protestë janë drejtuar në selinë e PD-së, çka shënon ndoshta edhe fundin e protestës për sot. Shpërndarja e tyre erdhi pas ultimatumit të Policisë së Shtetit, e cila bëri me dije se nëse qytetarët nuk shpërndaheshin për 5 minuta, do niste shpërndarja e tyre me forcë.