Perla natyrore e krahinës së Kelmendit (nga Marin Mema)

0
185

Alpet shqiptare janë sa epike e të vrazhda, po aq tërheqëse dhe misterioze për historitë që fshehin. Atje janë zhvilluar beteja të mëdha, e jeta duket aq e vjetër sa vragat në trupin e këtyre maleve. Në veprën “Brenga e Ballkanit”, Edith Durham aq e lidhur me Shqipërinë e epërme, përshkruan mes të tjerash udhëtimin e saj në viset e krahinës së Kelmendit. Ajo rrugëtoi në një pjesë të mirë të tyre, duke lënë pas dëshmi me vlerë të rrallë e me shumë interes në planin studimor.
Mes këtyre majave, Edit Durham e quante kohën të ngrirë. Po kështu Franz Nopça që e vinte në dukje mikpritjen e banorëve. Nuk mbeti pas as gazetari i njohur italian Indro Montanelli e sa e sa udhëtarë e studiues të tjerë. Ata që kanë kaluar këtu në Kelmend në periudha të ndryshme, kanë zbuluar traditat dhe trashëgiminë e lashtë, historinë, legjendat të ndërthurura me natyrën e rrallë të alpeve shqiptare, me shumë të fshehta të tjera …
Dikur të kaloje në leqet e Hotit rreth 50 kilometra nga Shkodra përbënte një rrezik të vazhdueshëm. Rruga e shkatërruar, mungesa e mbrojteseve anësore dhe këto humnera të frikshme, ishin bashkëudhëtari i të gjithë kalimtarëve drejt krahinës së Kelmendit. Natyrshëm ashtu siç Edith Durham edhe albanologu i njohur Franz Nopça hasi të njëjtat vështirësi për të ardhur në këtë zonë, e megjithatë edhe ai duket se nuk u zhgënjye, përkundrazi.
“Më bëri përshtypje një ngjarje në luginën e Cemit afër urës së Tamarës në tokën e Kelmendasve. Unë kërkova në një shtëpi pak ujë për të pirë, por në vend të ujit, zoti i shtepisë, që nuk e njihja fare, më dha një tas me dhallë, të cilën unë e piva deri në fund. Pas pirjes, erdhi vëllai i zotit të shtëpisë edhe ky i panjohur nga unë dhe duke qenë së ishte vonë dhe ishte i lodhur nga udhëtimi, ai donte të pinte dhallën. Natyrisht gjeti tasin e zbrazur dhe kur zoti i shtëpisë i shpjegoi atij kush e kishte pirë, ai nuk u mërzit fare, siç mund të mendohet. Përkundrazi, ai tha që ishte fat që kisha ardhur në shtëpi para tij sepse përndryshe familja e tij nuk do të kishte pasur çfarë t’i ofronte mikut dhe miku do të ishte i detyruar të vazhdonte rrugën i pangrënë”, shkruan Nopça
Kelmendi është hulumtuar pak deri më sot në terren. Sigurisht kjo zonë mbart shumë enigma që nuk kanë ende një përgjigje të qartë. Fillesat, vendosja, lëvizjet, gjurmët më të hershme. Mendimet janë të ndryshme, tezat janë të shumta.
Fshati Vukël e Nikçi shtrihen në njërin krah, ndërsa në tjetrin pas Tamarës vijojnë fshatrat që të çojnë deri në Vermosh. Më i madhi prej tyre është Selca, vendi të cilit Edit Durham i kushtoi jo pak pjesë në librin e saj.
“Shtëpitë e shpërndara të Selcës shtrihen në krye të luginës, atje ku ajo zgjerohet dhe është pjellore. Nga toka shpërthejnë lirisht burimet, nga mali zbret një ujvarë. Shtëpitë janë të ndërtuara mirë, me gurë të latuar. Selca duket së është më mirë nga gjendja sesa çdo pjesë tjetër e Malësisë se Madhe”, shkruan Durham
Edhe sot shtëpitë e Selcës janë të shpërndara e thuajse të shkrira me faqet e malit. Duket se në kohën kur britanikja ka kaluar këtejmi, fshati ende nuk ishte djegur nga malazezët që në shtator të vitit 1913 kërkuan me çdo kusht ta nënshtronin të gjithë Kelmendin. Pasojat më të forta i mbajtën qendrat kryesore të banuara të kësaj krahine. Në këtë memorial janë renditur vetëm emrat e disa prej luftëtarëve të rënë në këtë luftë të fortë, të tjerëve nuk u janë gjetur, si pasojë e kohëve të turbulluta e fort të ashpra për banorët e këtyre zonave.
Për fat të keq, rruga nga Selca drejt Lepushës, rreth 16 kilometra, sa vjen e veshtirësohet. Tashmë ajo thuajse humbet mes dëborës së dendur. Shtëpitë dallohen me vështirësi, ndërsa natyra shfaqet me të gjithë hijeshinë e saj.
Ndërkohë rruga drejt Vermoshit është diku 10 kilometra të tjerë, që të nxjerrin në fshatin e fundit, kufitar me Malin e zi, apo më mirë me trojet e dikurshme shqiptare.
Vermoshi shtrihet në këtë luginë të gjerë me shtëpitë e ndërtuara në të dy krahët e lumit Cem. Bujtinat këtu janë të shumta, por jo gjithmonë plotë… Për banorët e Vermoshit mundësia e vetme për të komunikuar në dimër mbetet Plava dhe Gucia, e mbetur jashtë kufirit zyrtar, në Mal të Zi.
Nga krijimi i tij e përgjatë të gjithë historisë, ky fshat ka kaluar përmes periudhave të stuhishme historike, nga ajo e Ahmet Zogut ku u bë pjesë e paktit së bashku me Shën Naumin për t’ju dhënë Jugosllavëve, e deri tek arratisja e mëse 60 burrave pas vitit 1948. Në periudhën e komunizmit numri i banorëve arriti deri në 1300, ndërsa sot, në Vermosh jetojnë jo më shumë se 300 të tillë.
Në vitet ’60 banorët e Kelmendit kanë udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara, duke u arratisur përmes kufirit të afërt me Jugosllavinë. Në fakt marrëdhënia me sistemin komunist kishte qenë e ashpër që në vitet 1944 dhe 1945, kur ndodhi ajo që njihet si kryengritja e Kelmendit, në krye të së cilës ishte Prek Cali e mjaft të tjerë.
Përplasja e fortë mes forcave partizane e kryengritësve shkaktoi shumë të vrarë nga të dyja palët. Kjo përballje edhe sot shkakton debate të forta mes historianëve e studiuesve duke qenë se pas saj krahina vuajti pasojat.
Këto zona falë infrastrukturës së përmirësuar, vizitohen shpesh përgjatë tre stinëve të vitit, pranverë, verë, vjeshtë edhe nga turistë të huaj. Ndërsa në dimër rrugëtimi është shpesh i pamundur edhe pse pikërisht në këtë periudhë shqiptarët zgjedhin të udhëtojnë drejt Mavrovës, Kolashinit e tjetërkund, për të gjetur deborën, pistat e skive e infstrukturën funksionale pavarësisht kushteve atmosferike.
Për të gjitha këta elementë shqiptarët rrugëtojnë jashtë vendit të tyre, kur këtu jo larg Shkodrës do të mund të gjenin gjithçka, sigurisht nëse do të bëheshin investimet dhe projekte që mund t’i realizojë vetëm shteti e jo banorët që nuk kanë mbështetje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here