Kryeministri Edi Rama po mban një fjalim në Sheshin ‘Nënë Tereza’, ku ka konfirmuar mbështetjen e tij për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ka treguar ndryshimin që sipas tij ka pësuar vendi nën qeverisjen e tij.

Rama tha se Tirana që gjetën ishte e rrënuar, dhe shumë shpejt Teatri i ri do të bëhet. Veç kësaj Rama tha se do të shembë dhe Teatrin e Kukllave dhe Muzeun Kombëtar, dhe do të ndërtohet gjithçka nga e para, pasi sipas tij godinat e vjetra qendrojnë si një fantazëm e së shkuarës.

“PD si sheshi i vjetër në qendër, LSI si shatërvani i vjetër në bosht, të terët, aleatët, si kioskat e rritura në vite, anash, shtesë pas shtese, që kishin zënë pamjen parkut të Tiranës. Ky qytet është mishërimi i forcës transformuese, edhe boshllëqeve tona pa dyshim, por edhe shumë defekteve që duhen ndrequr, provë e dallimit ët madh nata me ditën mes nesh, të atyre që i kemi mbrapa. Kush e vë këtë në dyshim, ose s’ka dalë nga ana e tyre, ose e ka harruar natën e tyre se cfarë ishte, kur ata kishin në dorë vendin dhe Tiranën”- tha ai.

“Sheshi Skëndërbej sot është kryevepër urbanistike e konfirmuar ndërkombëtarisht, duke marrë vlerësime të larta në gazetat e mëdha të botës, por muzeu historik është fantazëm e së shkuarës mu në mes të sheshit, opera kantier që këtë vit do të hapë dyert”- tha ai.

“Teatrin e ri kombëtar, që do të ndërtojmë me se s’bën e për turpin e atyre që e kanë baltosur pa lindur projektin tonë, ne do ta bëjmë një tjetër kryevepër të konfirmuar ndërkombëtarisht”.