Gjermania ka fituar klasiken e Europës ndaj Holandës me rezultatin 3-2. Ndeshja e zhvilluar në “Johan Cruijff Arena” të Amsterdamit ishte spektakolare, me vendasit që dominuan, por miqtë kanë shfrytëzuar në maksimum mundësitë e krijuara.
Gjermani ngjitet në vend të dytë, ndërsa Holanda zbret në vendin e tretë.
Gjermanët e nisën shumë mirë ndeshjen duke kaluar të parët në avantazh me golin e Leroy Sane në minutën e 15’.
Holanda ushtroi presion për të barazuar, por pëson golin e dytë me autor Serge Gnabry, i cili dyfishoi rezultatin me një goditje fantastike në hyrje të zonës.
Pas pushimit, De Ligt rihap sfidën me një gol të shënuar me kokë pas krosit fantastik të Memphis Depay.
Holanda mori zemër dhe Depay barazoi rezultatin në minutën e 63’ pas një rrëmuje në zonën gjermane.
Vendasit vazhduan të sulmonin për të gjetur golin e fitores, por ishte Gjermania ajo që shënoi golin e tretë në minutën e 90’ me anë të Schulz, i cili pas pasimit të përsosur të Reus ka mposhtur për të tretën herë portierin Cillessen.
Në ndeshjen tjetër të GrupitC, Irlanda e Veriut ka fituar 2-1 ndaj Bjellorusisë duke marrë kryesimin e grupit.