Ishte kundërshtari i duhur për të “shfryrë” nervat dhe Shqipëria fiton ndaj Andorrës me rezultatin 0-3. Golat e Armando Sadikut nga një gabim trashanik i portierit kundërshtar dhe Bekim Balës dhe Amir Abrashit na japin 3 pikët e para në grup.
Takimi ka nisur më mirë tanët që kanë goditur traversën që në minutën e parë me Uzunin. Një rast që duhej të ishte shënuar. Menjëherë pas rastit të beratasit pretendojmë për një penallti pas një goditjeje të Eros Grezdës që nuk ishte penallti vetëm për gjyqtarin kryesor të takimit.

Me kalimin e minutave arrijmë të shtojmë presionin dhe dalim te goli me anë të një episodi. Në minutën e 21′, një top i gjatë nga mesfusha gjen gabimin e vendasve. Portieri kundërshtar nuk e largon si duhet dhe Sadiku që ndjek deri në fund aksionin e gjuan me portën e boshatisur për 0-1. Deri në fund të pjesës së parë nuk shënohet asnjë rast tjetër.
Në pjesën e dytë luhet e njëjta simfoni si në pjesën e parë. Shqipëria ka më shumë iniciativë, ndërsa vendasit janë të brishtë. Rastet nuk mungojnë nga tanët, por nuk arrijnë të konkretizohen. Atëherë kur mendohej se gjithçka do të mbyllej me një fitore minimale, është Bekim Balaj që zhbllokohet duke gjetur golin në minutën e 88′. Shqipëria vazhdon me presionin në portën kundërshtare dhe në minutën e 90’+6′ shënojmë me anë të Abrashit. Një gol i veçantë, pasi mesfushori shtatshkurtri shënon me kokë.

Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet në vendin e 3 të grupit H me pikë të barabarta me Islandën që humbi 4-0 ndaj Francës. Turqia dhe Franca janë kokë grupi me 6 pikë.

Andorra – Shqipëri 0-2 Sadiku 21′, Balaj 88′ Kartonë të verdhë: Lima 5’, Klemente 59′, Martinez 73′, Gomesh 82′ Andorra: Gomesh, Martinez (Alaez 73′), Vales (Pyjol 84′), Rebes, Lima (c), Viera, Klemente (Sevos 67′), San Nikolas, Rubio, Lovera, Rodrigez Trajner: Koldo Alvarez Shqipëria: Berisha, Hysaj (c), Gjimshiti, Ismajli, Aliji, Basha (Memushaj 87′), Xhaka (Abrashi 67′), Kaçe, Grezda (Balaj 70′), Uzuni, Sadiku Trajner: Ervin Bulku