Shqipëri/ Të rinjtë e shtyjnë ditën kafeneve e online dhe sigurisht s’u habitëm fare!

0
410

Tashmë dihet gjerësisht që rinia shqiptare kalon shumë orë kafeneve. Mjafton t’u hedhësh një sy këtyre të fundit dhe sheh se si në çdo orë të ditës janë të mbushura plot e përplot. Për situatën në fjalë është diskutuar vazhdimisht, janë realizuar artikuj të ndryshëm, disa janë përpjekur t’i japin edhe shpjegim kësaj gjendjeje, ndërkohë që këtu do t’ju flasim saktësisht me gjuhën e shifrave, se sa të rinj i frekuentojnë realisht kafenetë dhe përpos tyre, çfarë bëjnë tjetër gjatë ditës.

Sipas një studimi të kryer nga Fondacioni “Friedrich Ebert” në Tiranë, gjysma e të rinjve të anketuar e kalojnë shumë shpesh kohën e lirë duke frekuentuar kafene dhe lokale, ndërkohë që 21 përqind e bëjnë këtë me raste. Megjithatë, 15 përqind e të rinjve pohojnë se nuk shkojnë kurrë në kafene dhe lokale në kohën e lirë, kurse 18 përqind prej tyre i frekuenton ato shumë rrallë. Shqipëria, së fundmi, është renditur si vendi me numrin më të lartë të kafeneve për numrin e popullsisë duke ia kaluar edhe vetë Spanjës, e cila ka qenë ajo që e ka mbajtur për shumë vite këtë rekord.

Po kështu, sipas studimit në fjalë, të rinjtë shqiptarë haxhojnë çdo ditë mesatarisht 2.3 orë duke parë televizor, si dhe 3.9 orë online. 93 përqind e të rinjve shqiptarë, krahasuar me 85 përqind të tyre në sondazhin e shkuar kanë akses të rregullt në internet. Për atë minoritet të vogël, që nuk ka akses të tillë, faktori vendimtar është statusi ekonomik.

Duhet thënë se për meshkujt kjo kohë është edhe pak më e madhe duke kapur shifrën 4.1 orë në ditë. Përdorimet më të shpeshta të internetit janë: Rrjetet sociale (87 përqind e përdorin shumë shpesh për këtë qëllim) komunikimi përmes platformave falas si Skype/ Viber (85 përqind), dëgjimi i muzikës (70 për qind) dhe ndarja e fotove dhe videove me të tjerët (67 përqind). Këto arsye ndiqen nga shkarkimi i filmave (49 përqind); marrja e informacionit të duhur për detyrat dhe projektet e shkollës (48 përqind) dhe lojrat online (38 përqind).

Përdorime si shopping dhe veprime bankare online janë në shifrat të ulëta 5– 10 përqind, po kështu edhe email- i, i cili përdoret vetëm nga 25 përqind e të pyeturve. 51 përqind e të rinjve e përdorin internetin për t’u informuar dhe për të lexuar lajmet vazhdimisht. Ndërkohë një tjetër grup prej 37 përqind informohet dhe dëgjon lajmet online me raste. Kjo tendencë kaq e spikatur për të marrë lajmet nga interneti duhet analizuar më tej. Një raport rajonal ka treguar se vendet e Evropës Juglindore, e në veçanti Shqipëria janë shumë të pambrojtura nga rreziku i lajmeve të rreme dhe influencave të ngjashme, duke qenë se niveli i njohjes së medias dhe funksionimit të saj është mjaft i ulët.

Po kështu, aktivitete të tjera:

LEXIM LIBRASH

Ndërkohë që 20 përqind e vajzave lexojnë shumë rregullisht vetëm 8 përqind e djemve pohon se po, lexon. Po kështu 12 përqind e vajzave thotë se nuk lexojnë kurrë, ndërkohë që këtë e pohojnë 31 përqind e djemve. Leximi i gazetave dhe revistave është një aktivitet që shpesh bëhet vetëm nga 10 përqind e të rinjve, ndërkohë që nga 80 përqind e tyre bëhet rrallë ose s’bëhet aspak.

SPORTE

6 përqind e djemve dhe 28 përqind e femrave praktikojnë sporte apo ushtrime shpesh ose shumë shpesh. Në përgjithësi, 41 përqind e të gjithë të rinjve shqiptarë nuk ushtrohen fizikisht, duke praktikuar sporte rrallë ose asnjëherë.

Burimi: Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here