Nga Kastriot Dervishi

Në këto foto shihen radhët e vajgurit gjatë periudhës së komunizmit. Nuk dihen cilët janë fotografët apo operatorët e këtyre fotove që tregojnë Shqipërinë e vërtetë, jo atë të propagandës e paradave boshe, por pamjet që ata na kanë sjellë, kanë mundur të mos harrohen radhat e gjata të komunizmit. Vajguri nëpërmjet furnelës që shihet në foto ishte lënda e thuajse e vetme që përdorej për gatim, larje rrobash dhe të trupit. Vajguri shitej në bazë të triskave që ndanin këshillat e lagjeve në bazë të frymëve të familjeve. Me gjithë triskëtimin, furnizimi i familjeve me vajgur nuk bëhej i rregullt. Si edhe çdo artikull tjetër që shitej, edhe shitja e vajgurit shoqërohej me radha të gjata. Ndërsa në raste të ngjashme duhej vendosur si shenjë ndonjë shishe apo trastë, në rastin e vajgurit, pamja ishte mbresëlënëse sepse këtë funksion e kryenin bidonët, të cilët të bërë nga duart të ndryshme e nga llamarinistë po kaq të pangjashëm, ishin të formave e llojeve të larmishme.

Bidoni “luksoz” ishte ai që kishte një hinkë interesante. Familjet që kishin pensionistë, ishin disi të privilegjuara e të sigurta se vajgur do të mund të merrnin pas disa orësh mundim pritës, apo pas disa ditësh pas një heroizmi të vërtetë shekullor. Mungesa e vajgurit në shtëpi bënte që veza e mundshme apo speci i përhershëm të mos skuqeshin për përfaqësuesit e klasës punëtore, që e shtuna komuniste e larjes së trupit të mund të dështonte (e duhej pritur deri të shtunën vijuese), etj. Në apartamentet e vogla e jashtë standardit, furnela vendosej në hale (përndryshe wc). Në të njëjtin mjedis të ngushtë, ku kryheshin nevojat personale, zihej grosha, skuqej sardelja, etj.

Në asnjë regjim tjetër veç atij komunist, asnjë pushtues, nuk e ka detyruar shqiptarin të gatuajë në hale. Prandaj shihini mirë këto foto dhe kujtoni se kolerën komuniste e keni pasur vetëm pak vite larg.