Teksa shihja si dukej sot Xhulia e “Përgjithmonë Xhulja”, u ktheva shumë vite pas. Krejt papritur më erdhën ndër mend gjithë filmat, serialet dhe aktorët italianë që më mbanin gozhduar para televizorit mua, familjen time dhe gjithë shqiptarët dekada më parë.

Ndonëse isha fare e vogël asokohe, shumë personazhe dhe histori janë ngulitur në kujtesën time, aq sa sot më lindi dëshira për ta përcjellë tek ju gjithë nostalgjinë time.

1. Përgjithmonë Xhulja (1989)

Duke qenë se Xhulja ishte personazhi që më ngacmoi për të nisur këtë listë, po e nis me të. Gjithçka zhvillohet në Italinë e viteve ’40-të. Carmen de Blasco, e martuar me një fashist, bie në dashuri me një mik të babait, partizanin e ri Armando Zani. Në fund të luftës, Carmen sjell në jetë vajzën e tyre, Xhulia, e kthehet sërish tek bashkëshorti.

Dy dekada më vonë, Xhulia bie në dashuri me studentin Ermes Corsini e pavarësisht kësaj, ai vendos të martohet me trashëgimtaren e pasur e egoiste, Marta Montini. Vite dhe një martesë e dështuar më vonë, Xhulia ribashkohet me dashurinë e jetës. Ermes është i lodhur nga Marta, kështu që nis një lidhje jashtëmartësore me Xhulian. Një ditë, ajo diagnostikohet me një sëmundje të tmerrshme…

Aq i dashur u bë personazhi i saj, sa sot e kësaj dite, çdo mama mallëngjehet kur krejt papritur në ekran shfaqet “Përgjithmonë Xhulja”.

2. Nëse një ditë do të trokasësh në portën time. (1986)

Për herë të parë, titullin e këtij seriali e dëgjova nga im atë kur isha ende adolëshente. E dëgjoja të ma tregonte dramën e Livia-s dhe Claudia-s. E intriguar nga titulli, e pashë dhe aty kuptova pse shqiptarët u dashuruan kaq shumë pas Virna Lisi-it.

Një nënë (aktore në karrierë) përballet krejt papritur me realitetin e hidhur. E bija, e varur nga dr oga braktis shtëpinë. E gjendur para një fakti tronditës, e ëma i thotë se nëse një ditë përpiqet të kthehet, dera e shtëpisë nuk do të jetë më e hapur për të…

3. Oktapodi ( La Piovra 1984)

Mini-seriali më i famshëm i mafies në Shqipëri asokohe. Aq shumë i dashur u bë për shqiptarët ky film, sa Komisar Katani (Michele Placido ) ende perceptohet si heroi më i famshëm që është përballur me krimin e organizuar italian.

4. Miku im (Amico mio 1993)

Mjafton të shihni këtë foto, për t’ju kujtuar aventurat e Spilo-s, vogëlushit që jetonte në spital dhe historisë së dashurisë mes doktor Magri-it dhe koleges së tij Angela.

Carabinieri (2002-2008)

Pas Katanit, seriali më i famshëm investigativ ishte padyshim Carabinieri.

Aty u dashuruam me policen më seksi që kemi parë ndonjëherë Paola Vitali (Manuela Arcuri), por ata që me shumë gjasa s’do t’i harrojmë kurrë ishin djemtë me sy hipnotizues që u bënë heronjtë tanë për vite me radhë..

Ah, ç’kohë!

5. Çmendurisht i dashuruar! (Innamorato pazzo 1981)

Mund të krijon histori pafund me princesha që bien në dashuri me njerëz të zakonshëm, por vendin e princeshë Cristina-s (Ornella Muti) dhe shoferit karizmatik të quajtur Barnaba (Adriano Celentano) nuk do ta zërë asnjë dyshe tjetër.

Shoferi i autobuzit, çmendurisht i dashuruar pas princeshës delikate na dhuroi kaq shumë skena dhe batuta sa sot e kësaj dite i shohim edhe të përdoren në Instagram nga të rinjtë që ndoshta s’e kanë idenë ç’film kanë humbur!

6. Grindavec i zbutur (Il Bisbetico Domato 1980)

Meqë jemi tek Adriano dhe Ornella, nuk mund të mos jua kujtoja këtë film. Elia, fermeri me personalitet të veçantë që bëri për vete Lisa-n na bën t’i rikthemi këtij filmi sa herë që shohim këtë foto…

7. E madhja, dashuria ime e vogël (Piccolo grande amore 1993)

Shumica e vajzave, ranë në dashuri kokë e këmbë me Raul Bova-n, bukuroshin të cilin fati e bashkoi me princeshë Sofinë. E lodhur nga burokracitë e familjes mbretërore, princesha ishte gati të niste aventurat me instruktorin seksit të sërfit.

8. Ngjyrat e jetës (2005)

Ndonëse gjithë filmat e Nancy Brilli-it ishin shumë të dashur për shqiptarët, ai që na mbajti gozhduar më gjatë se të tjerët ishte padyshim Ngjyrat e jetës. Historia e dy shoqeve të ngushta, Adua-s, aspirante për aktore dhe Gulia-s, pianiste brilante.

Ngjarjet mes tyre marrin tjetër rrjedhë për shkak të nënës së njërës prej të dyjave dhe një mashkulli, Luca, që s’mund të ishte askush tjetër përveç Gabriel Garko-s.

9. Katerina dhe të bijat (Caterina e le sue figlie, 2004)

Katerina, (Virna Lisi) u bë zëri i pothuajse të gjithë nënave shqiptare. E braktisur nga i shoqi, asaj ju desh të rriste e vetme 3 vajza me gjithë problemet që mosha dhe jeta sillte ditë pas dite…

10. Bukuria e grave (Il Bello delle donne)
Jam e sigurt kur them se kasti i aktoreve në këtë serial është i preferuari i grave shqiptare dhe jo vetëm.

Historitë e ndryshme të Anna-s, Vicky-it, Miranda-s, Francesca-s e shumë të tjerave, në një moment bashkohen me njëra tjetrën duke e bërë këtë një nga filmat e preferuar që kujtohet edhe sot gjithë nostalgji!

Nga Ina Xhexhi

Burimi: anabelmagazine.com