Nga nargjiletë perso-osmane, llullat e pipat shumëkombëshe, për te cigarja industriale dhe deri kërkimi i alternativave moderne, ky është një tregim i shkurtër për dashurinë e shqiptarëve për duhanin.

“Arnaut smoking” është një nga veprat më të njohura të piktorit francez të shek XIX, Jean Leon Gerome. Në të spikat një burrë shqiptar, me veshjen karakteristike të asaj periudhe, që mban në duar pjesën fundore të një nargjileje të cilën po e tymos mendueshëm.

Kjo pikturë në vaj e vitit 1865, na çon larg në kohë e na bën të mendojmë se duhanpirja mes shqiptarëve ka nisur herët, sikundër shihet e pasqyruar në veprat e piktorëve të kohës.

Duhanpirja është një nga zakonet më të vjetra të njerëzimit. Sipas historisë, duhani fillimisht është përdorur nga amerikanët vendas, të cilët e kanë kultivuar bimën dhe e kanë konsumuar atë për qëllime mjekësore apo në ceremoni të ndryshme. Ndërsa në Europë, farat për të mbjellë bimën e duhanit janë sjellë nga Kristofor Kolombi. Por europianët nuk e kanë konsumuar atë gjerësisht deri në mes të shekullit të 16-të kur diplomati francez Jean Nicot nisi ta popullarizojë pirjen e duhanit duke i dhënë emrin dhe nikotinës. Menjëherë pas prezantimit të vrullshëm në Francë në vitin 1556, gjethet e duhanit nisën të përhapen me shpejtësinë e tymit dhe në Portugali në vitin 1558, në Spanjë 1559 dhe në Angli në 1565, duke pushtuar më tej të gjithë gadishullin.

Në Shqipëri duhanpirja është konsideruar si traditë e të parëve, e pasqyruar kjo jo vetëm në artin e kohës por dhe në faktet historike që kanë mbërritur deri më sot.

Edhe Edit Durham, në koleksionin e saj të imazheve të grumbulluara gjatë vizitës në Shqipëri në vitet 1903-1913, ka dokumentuar duhanpirjen në vendin tonë. Në ndryshim nga pikturat e Gerome, në koleksionin e Durham dallohet se burrat shqiptarë – pasi duhapirja në atë periudhë ishte ekskluzivitet i tyre – kanë kaluar nga nargjileja te duhani i dredhur.

Gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare, në dokumentet e kohës të zbuluara në arkivat më të njohura të Europës, si për shembull, në ato britanike, ndër të tjera Mbreti Zog njihej si “Beqari më i kërkuar”, “duhanpirësi më i madh me 200 cigare në ditë”, “mbreti me më shumë kostume dhe uniforma, plot 2 mijë të tilla” etj. Madje dhe në shumë prej fotove të tij, ai pozon duke mbajtur ndër gishtërinj pipa ose llulla elegante.

Për t’u përmendur gjatë kësaj periudhe janë përpjekjet për emancipimin e gruas, përfshi ato të institucionalizuara si e drejta e votës. Por këto ndryshime janë pasqyruar edhe në kulturën popullore dhe prirjet e kohës, siç është edhe reklama e një marke cigaresh shqiptare të viteve 30, ku në plan të parë është portreti i një gruaje, duke e hedhur poshtë mitin se duhanpirja është zakon ekskluziv burrash.

Kjo markë cigaresh, e krijuar nga shoqëria aksionere Stamles me aksionerë nga qyteti i Durrësit dhe Tiranës, tregon fuqizimin e industrisë se duhanit në vendin tonë. Industri kjo që pati zhvillim edhe gjatë periudhës së komunizmit, ku përveç prodhimit për tregun vendas, fabrika të ndryshme prodhonin edhe për eksport në vendet e Europës Lindore.

Konsumator i duhanit vendas ishte edhe diktatori Enver Hoxha, i cili në shumë prej fotove të tij pozon me cigare.

Fundi i regjimit komunist shënoi për Shqipërinë edhe krizën e prodhimit të cigareve në vend. Pas vitit 1991, në vend u futën me tonelata cigare kontrabandë dhe marka të falsifikuara.

Në prag të viteve 2000 situata e duhanpirjes në vendin tonë ndryshoi duke u afruar dhe njehësuar me tregun europian, pas hyrjes në treg të kompanive më të njohura botërore për prodhimin e duhanit.

Burimi: anabelmagazine.com