Ndizet protesta, mijëra mblidhen para Kryeministrisë (incidentet e para)

0
246

Nis protesta e katërt e madhe e opozitës së bashkuar ndërsa mijëra protestues janë mbledhur para kryeministrisë. Kreu demokrat Lulzim Basha i është bashkuar marshimit drejt Kryeministrisë, ndërsa më parë takoi studentët evropianë demokratë.

Gjithashtu dhe Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së është nisur nga selia e kësaj partie për t’iu bashkuar protestës.

Fillimisht nga zona e Astirit erdhën banorët të cilët protestojnë tashmë prej shumë muajsh në mbrojtje të banesave të tyre të planifikuara për tu shembur në kuadër të projektit për Unazën e madhe.

Më pas nga drejtime të ndryshme drejt sheshit para kryeministrisë janë drejtuar grupe grupe mbështetësish të opozitës.

Gjithashtu edhe Aleanca për Mbrojtjen e Tetarit i është bashkuar protestës.

Ndërkohë dëgjohen vazhdimisht dhe thirrjet “Rama ik”, “Mbro Teatrin”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Gjithashtu kanë filluar të hidhen dhe shashkat e para ndërsa janë hedhur dhe disa tymuese nga vetë protestuesit.

Në gardhin mbrojtës me policë para Kryeministrisë një burrë i moshuar është përplasur me policinë, ndërsa është qetësuar nga protestuesit e tjerë. Gjithashtu tymuese dhe bojë është hedhur drejt godinës së Kryeministrisë, ndërsa policia bën vazhdimisht thirrje për shmangie të dhunës.

Kjo është protesta e katërt kombëtare e cila zhvillohet përpara kryeministrisë nga opozita e bashkuar, që prej vendimit për të djegur mandatet e deputetëve të PD-së dhe të LSI-së.

Kërkesat e partive opozitare janë të qarta, dhe lidhen me mbajtjen e zgjedhjeve pa Edi Ramën kryeministër, dhe krijimin e një qeverie tranzitore, e cila do të mundësojë mbarëvajtjen e tyre.

Me kalimin e javëve vendosen në pikëpyetje dhe zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, që sipas opozitës nuk do të mbahen, ndërsa qeveria Rama dhe PS janë angazhuar me zgjedhjen e kandidatëve në mbledhjen e sotme të Asamblesë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here