Pak ditë më parë në rrjetet sociale qarkulloi një video ku shfaqej momenti teksa Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër lyhej me bojë të zezë në kokë dhe trup. Po kush është studentja, Pranvera Paci, që bëri me bojë rektorin. Në një intervistë për tirananews.al ajo rrëfen dhe arsyen e veprimit të saj, si dhe akuzat ndaj rektorit.
1- Pranvera, ju ishit vajza e cila hodhi bojë ndaj Rektorit. A mund të na tregoni se çfarë ju shtyu që të ndërmerrni një hap të tillë?

Arsyeja e ndërmarrjes së këtij hapi ishte pas dhënies së vendimit për pezullim ndaj bashkëprotestues time dhe një arsye tjetër kryesore është që anuloi takimin e zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit amerikan, i cili do vinte në Shkodër në lidhje me problematikat e tona, përgjigje që ju dha amerikanit ishte që unë si protestuese kryesore e paskam kërcënuar dhe marrë me dhunë sallën, arsye që nuk u zhvillua takimi.

2- A keni frikë së mund të përjashtoheni nga Fakulteti si ndëshkim?

Frika patjetër ekziston, sepse ai veprim që unë e ndërmora me hedh poshtë tre vite sakrifice dhe pune për të marrë këtë shkollë, pasi këtë vit mund të më digjet diploma.

3- Në statusin tuaj në facebook akuzoni Rektorin për mungesë transparence, për abuzime me fondet etj. A keni ndonjë rast konkret?

Zoti Rektor, Adem Bekteshi në mënyrë absolute nuk ka treguar transparencë ndonjëherë me ne studentët duke filluar që me mbështetjen e pedagogëve të tjerë e deri tek presionet ndaj studentëve. Abuzimi me fondet ka ndodhur me godinën e re, madje e kam edhe të dokumentuar, ndaj unë nuk kam vepruar më kot.

4- Për gjestin tuaj ka nga ata që e kanë përkrahur, por edhe ata që e kanë cilësuar të ulët ndaj figurës së pedagogut dhe për një student. Si do u përgjigjeshit?

Gjesti që unë kam bërë ka qenë një gjest simbolik, sepse zoti Bekteshi ndaj nesh ka përdorur metoda komuniste, ndërsa unë përdora metoda moderne. Figura e tij nuk do ishte prekur kot, çka do me thënë se ai është i implikuar. Nëse nuk do ishte, atëherë nuk do të ndodhte diçka e tillë. Opinioni publik nuk ndalet. Secili është i lirë të shprehë mendimin e tij, por unë eci me parimin se inteligjenca më e lartë e njeriut është të shohë pa gjykuar.

5- A mund të na thoni a jeni anëtare e ndonjë forumi apo organizate?

Unë, studentja Pranvera Paci nuk jam pjesë e asnjë partie politike forumi apo organizate. Kjo është e thjeshtë për t’u gjendur, dhe nëse ka diçka që unë kam mbështetur ndonjë parti kërkoj vetë pezullimin tim, jo vetëm një vit, por të më heqin krejt të drejtën e studimit.

6- Kush është Pranvera Paci?

Pranvera Paci është studente juridiku viti i tretë, jo nxënëse e 10-ës, ama sot ku jam, jam me forcat e mia të punës së palodhur për arritjet e ëndrrave të mia dhe për nxjerrjen e jetesës së një studenti, pra edhe punoj, edhe shkoj në shkollë, për këtë i them “bravo” vetes. Gjesti që kam bërë është plot me ndërgjegjen time, pavarësisht se ka metoda të tjera komunikimi. Ky lloj incidenti nuk është personal me zotin Bekteshi si individ . Por, në lidhje me figurën e tij po, pasi nuk ka punuar siç duhet dhe nuk ka shfrytëzuar karrigen e tij në formë demokratike, por në mënyra të tjera.

Të shtunën u mblodh Komisioni i Etikës në lidhje veprimin tim, por pa praninë time, pa dhënë shpjegimet e mia pse dhe arsyet. U bë një gjyq në mungesë. Unë çështjen time do ta ndjek në rruge administrative, ku do të marr të drejtën time, pasi nuk kam bërë dhunim institucioni dhe individi. Kjo do të ndodhë pasi unë të marr në dorë shkresën e pezullimit tim. Gjithashtu, nëse ndodh ky rast pezullimi me shkresë, bashkë edhe me vajzën tjetër, atëherë do të kemi përshkallëzim të situatës, ku në krah do të vijnë edhe studentët e Tiranës në mbështetje tonën. Protesta jonë ka funksionuar gjithmonë “të gjithë për një dhe një për të gjithë”.

/tirananews.al/