Pas ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, edhe gazetari investigativ Basir Çollaku i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili i akuzoi si autorë të artikullit në gazetën gjermane “Bild”.

Sipas Çollakut, investigimi i Bild nuk ka mbaruar dhe së shpejti do të publikohen të dhëna të reja.

Çollaku në një sms dërguar moderatorit të emisionit “Opinion” Blendi Fevziu, paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se duhet të fillojë të shqetësohet pasi prestigjozja gjermane shumë shpejt do të publikojë fakte tronditëse.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë u kundërpërgjigj duke e kërcënuar me gjyq.

“Atij të parit i them që të vijë të mi faktojë dhe të përballemi në Gjykatë se nuk ia mbaj mend as emrin”, tha Rama.

“Nuk kam me Bild-in asnjë gjë, këtë e ka shkruar Ylli Manjani dhe Collaku, janë këta të ty që janë furnizuesit dhe autorët e këtij teksti. Ka bërë një publikim bazuar në këto burime, shqiptarët e dimë mirë se çfarë përfaqësojnë këto burime, gazetari i BILD ka marrë këto burime të shquara dhe unë nuk kam çfarë t’i them”, do të shprehej Rama në ‘Opinion’.