FOTO | “Diktatura” e Bajernit vazhdon, vjen titulli i shtatë radhazi

0
230

Pasdite e mrekullueshme në Alianz Arena. Bajerni i Mynihut shkatërroi Ajntrahtin e Frankfurtit me rezultatin 5-1 dhe siguroi titullin e 29-të në histori. Festë golash dhe emocione në javën e fundit të kampionatit gjerman, ndërsa shënuan gol edhe dyshja Riberi-Roben.
Të dy lojtarët do të largohen nga ekipi dhe nuk mund ta mbyllnin aventurën e paharrueshme me gjigantin gjerman pa shënuar gol. Pavarësisht kritikave dhe një sezoni të vështirë, Niko Kovaç arriti të shkruante emrin në historinë e Bajernit me titullin e fituar.

Duartrokitje edhe për Dortmundin. Verdhezinjtë nuk treguan forcën e duhur në sprintin final, por zhvilluan një sezon fantastik. Fitorja 0-2 në fushën e Gladbahut nuk solli titullin, por rivaliteti me Bajernin ishte emocionues dhe gjithçka u zgjidh në javën e fundit.

Leverkuzeni siguroi tre pikë të arta në kryeqytet përballë Hertës vendase dhe sezonin e ardhshëm do të marrë pjesë në Champions Ligë. Në Ligën e Europës përfunduan Gladbahu, Volfsburgu dhe Ajntrahti i Frankfurtit, ndërsa humbja në Mainc ishte fatale për Hofenhejmin.

Me gol e mbyllën edhe dy lojtarët shqiptarë. Milot Rashica shënoi golin e nëntë në kampionat në fitoren 2-1 të Verderit kundër Laipcigut, ndërsa Elvis Rexhbecaj shënoi golin e dytë në Bundesligë këtë sezon në triumfin 8-1 të Volfsburgut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here