Shqipëri merr shembull nga motra jote e vogël. Kosova ka shkruar historinë mbrëmjen e sotme, teksa ka regjistruar fitoren e parë në kualifikueset e para të Europianit.

“Dardanët” i dhanë leksione futbolli si Bullgarisë ashtu edhe kombëtares kuqezi, e cila duhet të mësojë shumë nga loja dhe spektakli që Challandes ka injektuar te kjo skuadër.

Një gol i Elbasan Rashanit i dha fitoren e merituar Kosovës, që doli nga Sofja si triumfatore. 3-2 ndaj Bullgarisë në një përmbysje spektakolare vetëm në çastet e fundit. Që do ishte një takim historik për Kosovën u pa që në minutat e para, me Rashicën që realizoi golin e epërsisë pas 14 minutash lojë.

Një përgjumje e mbrojtjes vendase dhe asi i Werder Bremen nuk gaboi. Gjithsesi, një gabim në minutën e 43-të për pak i kushtoi shtrenjtë Kosovës, me Popov që shënoi dhe i dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjeve në barazim 1-1. Me rikthimin në fushë, Bullgaria goditi sërish shpresat e Kosovës, të cilat u ringjallen nga sulmuesi më i kërkuar në merkaton e verës, Vedat Muriqi.

Sulmuesi i Rizespor shndërroi në gol një krosim të Kolollit, për të drithur më pas gjunjët e kundërshtarëve. Situatë që u studiua mjaft mirë nga Challandes, që hodhi edhe kartën e fundit në fushë, e cila rezultoi fituese. Elbasan Rashani në lojë, duke marrë vendin e Zhegrovës që dështoi totalisht.

Ishte pikërisht sulmuesi i Odd ai që shkruajti historinë. Pasi shumë tentativave, që duket se ishin thjeshtë për t’i marrë koordinatat portës, 26 vjeçari u tregua fenomenal në minutën e 3-të shtesë. Rashica kroson dhe Rashani ngul me kokë sferën në fundin e rrjetës. Futbollistët në festë. Stafi në festë. Dardanët në festë dhe gjithë Kosova në festë.

Kjo fitore e ngjet Kosovën në vendin e 3-të në grup me 5 pikë, 1 më pak se Republika Çeke dhe Anglia, ndaj të cilës do t’i mas forcat në ndeshjen e ardhshme, më 7 shtator.